Mos-rrënimi i objekti 13 katësh pa leje, Inspektori dënohet me burgim

1 vit e 6 muaj burgim efektiv e ka dënuar Gjykata e Prizrenit, Enver Bytyqin, inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit.

Inspektori Bytyqi akuzohej për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, më saktësisht për mos rrënim të objektit të ndërtuar pa leje.

Prokuroria e akuzonte Inspektorin Bytyqi se vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbaleve duke mos sjellë konkluzione për rrënimin e objektit pa leje, dhe i ka mundësuar përfitim pasuror 13 kate investitorit.

Por gjatë gjykimit dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve, prokurori i rastit Mehdi Sefa kishte precizuar aktakuzën, duke ndryshuar numrin e kateve nga 13 në 8 dhe precizuar veprimet që i akuzuari Bytyqi i ka marrë në inspektimin e objektit pa leje dhe se ai nuk kishte marrë vendim për rrënim të dhunshëm, kjo pasi që Inspektori kishte qenë i suspenduar dhe kur ishte rikthyer në punë objekti tashmë kishte filluar të ndërtohej, dhe nuk ka qenë përgjegjësi e tij pjesa e ndërtuar më herët e objektit pa leje.

I bashkakuzuari me ish-inspektorin Enver Bytyqi, investitori Feim Hamiti, i cili në maj të vitit 2019 është dënuar nga Gjykata për ndërtimin e objektit 13-katësh pa leje.

I njëjti akuzohej për veprën penale të heqjes apo dëmtimit të vulave zyrtare.

Hamiti është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 muaj burgim, por i njëjti i është zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 7 mijë eurove.

I akuzuari Enver Bytyqi në mbrojtje të tij kishte thënë se ka ndërmarrë veprimet dhe aktet që ka pas mundësi, ndërsa nuk ka marrë vendim për rrënim të dhunshëm, pasi që qeverisja lokale në Prizren i ka mundësuar investitorit të filloj ndërtimin e banesave për rastet sociale.

Gjithashtu, i akuzuari kishte deklaruar se edhe pse objekti në lagjen “Jeni mëhallë” ka filluar të ndërtohet në vitin 2011, ai është ngarkuar me inspektim nga viti 2014, pasi që është ndërtuar përdhesa dhe se deri në këtë kohë, objekti ishte nën inspektimin e një inspektori tjetër.

Ish drejtori i Urbanizmit Nijazi Kryeziu dhe ish kryetari i komunës së Prizrenit Ramadan Muja kishin dëshmuar në gjykimin për objektin 13 katësh pa leje.