Foto: Kallxo.com

Morën veturën e sekuestruar nga parkingu në Skenderaj, dënohen dy persona

Gjykata e Mitrovicës i ka dënuar me nga katër muaj burgim me kusht dhe nga 550 euro gjobë të pandehurit Fitim Ahmeti dhe Asmir Ajeti.

Ahmeti dhe Ajeti akuzoheshin nga prokuroria e Mitrovicës se kishin marrë nga parkinkgu i kompanisë “Miloti” në Mitrovicë veturën e të pandehurit Ahmeti, pasi ajo paraprakisht ishte sekuestruar nga Stacioni i Policisë në Skenderaj.

Në seancën e mbajtur në gjykatë e Mitrovicës të pandehurit kishin pranuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë nga prokuroria.

Ahmeti dhe Ajeti para gjykatësit të rastit Rrahman Beqiri kanë thënë se ndihen fajtorë, duke shprehur pendimin e tyre për veprën e kryer rreth një vit me parë, ndërsa nga gjykata kanë kërkuar një dënim sa me të butë.

Kurse me rastin e shpalljes se aktgjykimit nga gjykatësit Beqiri, dy të padehurit janë dënuar me nga katër muaj burgim me kusht dhe me nga 550 euro gjobë secili.

Dënimi me burgim ndaj të akuzuarve nuk do të ekzekutohet nëse për një vit nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Po ashtu të pandehurit nga gjykata janë obliguar që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës.

Prokuroria e Mitrovicës akuzonte Fitim Ahmetin dhe Asmir Ajeti se në shtator të vitit 2018 në parkingun e kompanisë “Miloti”, në Mitrovicë, kishin marrë veturën të markës “Calibra”, pronë e të akuzuarit Ahmeti.

Sipas akuzës kjo veturë paraprakisht ishte sekuestruar nga Stacioni i Policisë në Skenderaj.

I pandehuri Ajeti kishte hyrë në parking dhe pasi kishte marrë veturën, gjatë daljes i kishte goditur dyert e mbyllura të parkingut. Në afërsi të tij kishte qenë duke e pritur i pandehuri tjetër Fitim Ahmeti.

Me këtë rast kompania “Miloti” ishte dëmtuar në vlerë prej 300 euro.

Ndërsa të pandehurit akuzohen se me marrëveshje kanë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Kurse në pikën dy të aktakuzës thuhet se të pandehurit veprimin sipas dispzoitivit të parë të aktakuzës e kanë ushtruar në mënyrë arbitrare, me arsyetimin se nuk u është lejuar që t`i marrin pajisjet e muzikës në automjet.

Me këtë, ata akuzohen për veprën tjetër penale “vetëgjyqësia”.