Mocioni i mosbesimit, çka thotë Kushtetuta?

Me një të tretën e deputeteve të përgjithshëm të kuvendit të Kosovës apo me nënshkrimet e 40 deputeteve të Kuvendit të Kosovës mund të kërkohet që të vihet në votim mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Pas mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një konferencë tregoi se do të inicioj mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Kryesia e LDK-së u mblodh në një takim urgjent pas situatës së krijuar nga shkarkimi i ministrit të Brendshëm, Agim Veliu.

Veliu u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti zyrtarisht për deklaratat e bëra nga ai në lidhje me mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend, siç po kërkon presidenti Hashim Thaçi.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mosbesimin ndaj Qeverisë mund ta kërkojnë deputetët me një propozim të përkrahur nga 1/3 e deputeteve të kuvendit.

Për t’u miratuar ky mocion mosbesimi ndaj qeverisë atëherë një propozim i tillë duhet të votohet nga shumica e përgjithshme e deputetëve të Kosovës që i bie se duhen votat e 61 deputetëve.

Në rast se ky propozim merr votat e shumicës së deputetëve atëherë Qeveria konsiderohet si e dorëhequr.

Pra nëse mocioni për mosbesim ndaj Qeverisë bëhet i suksesshëm, arrin 61 vota pro, kryeministri shkarkohet dhe qeveria konsiderohet e shkarkuar.

Brenda 45 ditëve, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

E në rast se nuk arrihet përkrahja e shumicës së deputetëve të Kuvendit, atëherë mocioni i mosbesimit dështon.

Një mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet deri pas 90 ditëve të ardhshme.