Mjekët e shpëtojnë Agim Ademin përkohësisht nga shkuarja në burg

Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, FFK, i është aprovuar kërkesa për shtyrje të vuajtjes së dënimit me burg nga Gjykata e Apelit..

Gjykata e Apelit njofton  se e ka aprovuar si të bazuar ankesën e të dënuarit Agim Ademit kundër vendimit të Gjykatës së Prishtinës të 15 qershorit 2020.

Vendimi në fjalë është ndryshuar dhe Ademit i është lejuar shtyrja e ekzekutimit të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 3 muajsh.

Kryetari i Federatës së futbollit Agim Ademi, me aktgjykim të formës së prerë, është shpallur fajtor për shkak të veprës penale “Detyrimi në tentativë”  dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 muajve.

Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, gjeti se ai është pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes  jo të mirë shëndetësore, si dhe atij i është rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht është trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.

Më këtë Gjykata konsideron se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit.

Kjo edhe për faktin se siç është e ditur, Kosova tash e sa kohë po përballët me pandeminë Covid 19,  pandemi kjo e cila sipas eksperteve shëndetësor, në masë të madhe atakon ata që kanë sëmundje tjera përcjellëse.

Prandaj Gjykata e Apelit, konsideron së dërgimi i tij, në vuajtje të dënimit, në këto kushte dhe rrethana, do të paraqiste rrezik për shëndetin e të dënuarit, si pasojë e pamundësisë për trajtimit adekuat shëndetësor dhe rrezikut për infektim nga personat e tjerë, më çka do të cenoheshin ndjeshëm të drejtat e tij, të proklamuara më ligj.