Mitrovicë - Shtyhet gjykimi ndaj ish drejtorit të urbanizmit dhe zyrtares së kësaj drejtorie të akuzuar për korrupsion

 

Seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve Hasan Shalës dhe Sanije Ahmetit e paraparë të vazhdoj në gjykatën e Mitrovicë është shtyrë.

Prokuroria e Mitrovicës po e akuzon Hasan Shalën se në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skenderajt, dhe Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në këtë Drejtori, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Sipas akuzës, ata këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë biznesi NNSH ”ILEAA-GR”.

Në akuzë thuhet se Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj në shtator 2011 ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit që të bëhet riformatimi-ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën e datës 21 korrik 2011.

Kjo ishte nënshkruar në mes Komunës së Skenderajt dhe kompanisë NNSH ”ILEAA-GR” për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88,004,00 euro.

Shtyrja e seancës ka ndodhur për shkak se në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej eksperti Lulzim Demaj.

Eksperti Demaj, ishte caktuar nga gjykata për të vërtetuar nëse ishin përfunduar punët sipas kontratës që është objekt i aktakuzës, pasi eksperti tjetër i ndërtimtarisë, Qazim Fazliu, që ishte caktuar në seancën e kaluar, për shkaqe shëndetësore kishte thënë se nuk mund të hartojë këtë ekspertizë, ka njoftuar gjykatësi Beqir Halilu.

Ndërsa para se të dëgjohej dëshmia e tij, prokurori Ismet Ujkani dhe mbrojtësit e të pandehurve Hasan Shala dhe Sanije Ahmeti, avokatët Gani Rexha dhe Drita Shabanhaxhaj, kanë kërkuar kualifikimet e ekspertit Demaj.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi siq ka thënë prokurori Ujkani, në ekspertizë shkruan që Demaj është i licencuar si ekspert i pronave të paluajtshme nga Ministria e Financave.

Pas kësaj kryetari i trupit gjykues Beqir Halili, ka deklaruar se Demaj nuk gjendet në listat e vjetra të ekspertëve, andaj ka kërkuar nga KGJK-ja listën e ekspertëve, ndërsa i është drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për të vërtetuar nëse Lulzim Demaj, gjendet në listën e ekspertëve të ndërtimtarisë.

“Meqenëse, në listën të cilën e posedon gjykata e që janë lista të vjetra të ekspertëve, nuk figuron emri i ekspertit Lulzim Demaj, trupi gjykues merr këtë aktvendim, nga Këshilli Gjyqësor kërkohet lista e ekspertëve në mënyrë që të vërtetohet se eksperti Lulzim Demaj, a është në listën e ekspertëve të ndërtimtarisë”, tha Halili.

Gjykimi është shtyrë në kohë të pacaktuar dhe shqyrtimi tjetër do të caktohet pas marrjes së përgjigjes nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hasan Shala në tetor 2011, ka marrë vendim me anë të të cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar kështu pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë, me zëvendësimin e platosë me kubëza dhe murit mbrojtës për punime në terren edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.

Në aktakuzës thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.

Me këtë Hasan Shala dhe Sanije Ahmeti akuzohen se kanë kryer veprën – keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar.

Përveç kësaj, Sanije Ahmeti, akuzohet edhe për veprën penale -mashtrimi në detyrë.Kurse sipas akuzës ajo këtë e kishte bërë me prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.

Akuza thotë se ajo këtë e kishte bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH ”ILEAA-GR” në Skenderaj, duke vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtarë në kryerjen e pagesave në shumën prej 80,190,00 euro, si dhe në shumën prej 7,814,00 euro edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.

 

Dalin para gjyqit ish-drejtori dhe zyrtarja e Urbanizmit të Skenderajt

Dalin para gjyqit ish-drejtori dhe zyrtarja e Urbanizmit të Skenderajt