Mitrovicë, shpallen të pafajshëm katër ish-zyrtarët policorë

Gjykata e Mitrovicës i ka shpallur të pafajshëm ish- zyrtarët policorë Mentor Dallku, Bedri Haliti, Beqir Dajakaj dhe Ruzhdi Kajtazi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Kurse ndaj të pandehurve Besim Zeqiri, Jeton Zymeri, Gentrit Zymeri, Driton Spahija, Ukë Atashi, Agim Jashari, Liridon Hyseni, Ali Muzliukaj, Cenabeg Hyseni Gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Avni Mehmeti, ish-zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti janë liruar në tërësi nga akuza për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të akuzuarit po ashtu janë liruar nga shpenzimet e procedurës penale lidhur me këtë pikë të aktgjykimit dhe akuzës. Kërkesë pasurore juridike nuk ka pasur.

Gjykatësi Mehmeti me rastin e shpalljes se aktgjykimit ka sqaruar se ndaj të pandehurve Besim Zeqiri, Jeton Zymeri, Driton Spahija, Ukë Atashi, Gentrit Zymeri, për veprën penale tregti e ndaluar ka shpallur aktgjykim refuzues. Po ashtu, të pandehurit për këtë pikë lirohen nga shpenzimet e procedurës penale. Kërkesë pasurore juridike nuk ka pasur.

Kjo sepse paraprakisht në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur me 30 tetor prokurori Njazi Rexha ishte tërhequr nga aktakuza ndaj Driton Spahijës dhe Ukë Atashit me arsyetimin se nuk ka mundur ta vërtetojë se të njëjtit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen sipas aktakuzës, ndërsa për shtatë të tjerët  ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga “tregtia e ndaluar,  paragrafi 2”, në veprën penale “tregtia e ndaluar, paragrafi 1”, si dhe “shmangia nga tatimi, nga paragrafi 2” në “shmangia nga tatimi, paragrafi 1”.

Prokurori Rexha me pas kishte deklaruar se pas rikualifikimit të veprës penale kishte arritur parashkrimi absolut i saj.

Tutje, sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues me kryetar Avni Mehmeti dhe anëtarë Tomislav Petroviq dhe Ferki Xhaferi, të pandehurit Besim Zeqiri, Jeton Zymeri, Driton Spahija, Ukë Atashi, Gentrit Zymeri, është refuzuar akuza për veprën penale shmangie nga tatimi.

Të pandehurit edhe për këtë pikë janë liruar nga shpenzimet e procedurës penale.

Ndërsa për të pandehurit Agim Jashari, Liridon Hyseni, Ali Muzliukaj, Cenabeg Hyseni gjithashtu është refuzuar akuza për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale – tregti e ndaluar.

“Sa i përket propozimit për konfiskim, Gjykata nuk ka mundur të nxjerr një vendim të tillë për konfiskim sepse akuza ka qenë liruese dhe refuzuese mirëpo sa i përket këtij propozimi do ta njoftojmë Doganën e Kosovës që mallrat e konfiskuara t’i trajtojë sipas ligjit në fuqi”, ka thënë gjykatësi Mehmeti.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë së Mitrovicës, atëherë zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti akuzohen se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 2013 derisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit Besim Zeqiri, Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për kryerjen e veprës penale të ndihmës për kryerjen e veprës penale – tregti e ndaluar.

Po ashtu, Jeton Zymeri, Driton Spahija dhe Ukë Atashi akuzohen se në bashkëkryerje në fshatin Shupkovc të Mitrovicës në vazhdimësi pa autorizim kanë shitur e blerë apo edhe shkëmbyer derivate të naftës, paraprakisht duke organizuar rrjetin e shitblerësve si dhe të ndërmjetësve, duke realizuar përfitimin i cili kalon shumën 15.000 euro.