Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, përfundon gjykimi ndaj dy të akuzuarve për rreth 1 kg marihuanë

Gjykimi ndaj të pandehurve Mërgim Thaqi dhe Mensur Sadiku, të akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për drogë ka përfunduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët në këtë rast.

Përveç të lartcekurve, i akuzuar me ta ka qenë edhe Bledijan Xhepi nga Shqipëria, për të cilin është veçuar procedura.

Paraprakisht në këtë seancë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën e Prokurorisë, e më pas u dha fjala hyrëse nga palët si dhe u dëgjua një dëshmitar.

Kurse gjatë marrjes në pyetje të të pandehurve, ata kanë pranuar se kanë qenë përdorues të narkotikëve por se nuk kishin pasur qëllim që ta shisnin.

Ndërsa i akuzuarit Mërgim Thaqi në fazën e marrjes në pyetje nga mbrojtësi i tij, avokati Petrit Dushi, ka deklaruar se sasinë e narkotikëve për të cilën akuzohet nga Prokuroria e kishtë blerë nga i pandehuri Bledijan Xhepi, me çmim prej 350 euro.

Tutje, i akuzuari Thaqi tha se nga kjo sasi e narkotikut “një grusht” ia kishte dhënë falas të pandehurit Mensur Sadiku.

Se sasinë e narkotikut ia kishte dhënë falas, e nuk ia kishte shitur i pandehuri Thaqi, e ka pohuar edhe i akuzuari Sadiku teksa e jepte mbrojtjen e tij.

Ndërsa, në fjalën përfundimtare prokurori Naim Beka ka deklaruar se mbetet pranë akuzës sepse nga administrimi i provave në shqyrtimin gjyqësor është provuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale.

“Nuk është kontestuese se i pandehuri Mërgim Thaqi ka blerë substancat përkatëse narkotike me qëllim që të njëjtën ta shesë. Kjo rezulton nga sasia e substances narkotike, e konfiskuar nga i njëjti e po ashtu edhe nga historiku i veprimeve të tij të mëparshme ku nga dosja kriminale rezulton se edhe më parë është i përfshire në vepra të ngjashme penale, po ashtu edhe mënyra se si ai ka dashur të fshehë substancën narkotike duke dashur ta fusë në lojë të miturin NN, tregon se posedimi i substancës narkotike ishte për qëllim shitjeje”, tha Beka.

Ndërsa për të pandehurin Mensur Sadiku prokurori Beka gjatë fjalës përfundimtare ka thënë se nga deklarata e tij në Polici, ku ai kishte theksuar se substancën narkotike e kishte blerë në vlerë prej 400 euro, ndërsa kishte paguar vetëm 150, duke lënë që pjesën tjetër ta paguajë pas shitjes së narkotikut, nga kjo sipas prokurorit vërtetohet se këtë sasi e kishte blerë me qëllim që ta shiste.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Mërgim Thaqi, avokati Petrit Dushi, ka thënë se nuk është arritur të vërtetohet barra më e madhe e kësaj aktakuze lidhur me substancën narkotike “kur u shit, kujt iu shit dhe ku e shiti nëse e ka shitë“.

Andaj ka kërkuar nga trupi gjykues që ta ketë parasysh këtë rrethanë dhe ta bëjë kualifikimin e veprës penale dhe që i mbrojturi i tij të lirohet sa i përket kësaj pjese të aktakuzës.

Avokatja e të pandehurit Mensur Sadiku, Drita Shabanhaxhaj, ka thënë se nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar në asnjë mënyrë se i akuzuari Sadiku i ka blerë substancat narkotike me qëllim që të njejtën ta shesë.

“Në provat e nxjerra gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk u vërtetua në asnjë mënyrë se i akuzuari Mensur Sadiku e ka blerë substancën narkotike në sasi prej një kilogram me qëllim që të njëjten ta shesë. I njëjti ka qenë përdorues i narkotikëve dhe sasinë prej 37.42 gramë që ia ka dhënë i akuzuari Mërgim Thaqi e ka marrë me qëllim të përdorimit personal dhe asSesi me qëllim të shitjes“, tha Shabanhaxhaj.

Shabanhaxhaj po ashtu ka kërkuar nga Gjykata që nëse i pandehuri Sadiku shpallet fajtor të njëjtit t’i shqiptojë dënim sa më të butë dhe të favorshëm duke pasur parasysh se i akuzuari është i moshës relativisht të re, me parë i pagjykuar dhe që nga momenti i kryerjes së kësaj vepre penale i njëjti ka pasur sjellje të mira dhe korrekte si për familjen ashtu edhe për shoqërinë.

Pas kësaj kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti ka njoftuar se gjykimi në këtë rast ka përfunduar në tërësi, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 3 shkurt.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Mërgim Thaqin, Mensur Sadikun dhe Bledijan Xhepin (për të është veçuar procedura) për shitje të paautorizuar të substancave narkotike.

Në akuzë thuhet se i pandehuri Xhepi më 4 gusht 2018, në Mitrovicë, afër një restoranti në afërsi të hekurudhës në Mitrovicë, u kishte shitur substancë narkotike dy të pandehurve Mërgim Thaqi dhe Mensur Sadiku, të cilën e kishin bartur me automjetin e markës “Mercedes”.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht ishin takuar me Mërgim Thaqin, të cilit i kishte shitur substancën narkotike me peshë prej 971.07 gramë, ku për këtë sasi Thaqi kishte paguar 350 euro, ndërkaq më pas një kilogram i kishte shitur të pandehurit tjetër Sadiku, i cili këtë sasi e kishte blerë në shumën prej 400 euro, po ashtu brenda të njëjtës datë i pandehuri Xhepi i kishte ofruar për shitje të miturit L.B.

I akuzuari për drogë nga Shqipëria nuk vjen në gjykatë në Mitrovicë ‘shkaku i tërmetit’

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale posedim i narkotikëve.

Kurse në pjesën e dytë të akuzës thuhet se i pandehuri Thaqi nga Bledijan Xhepi kishte blerë substancë narkotike marihuanë me peshë prej 971.07 gramë me çmim prej 350 euro ku më pas kjo sasi i ishte sekuestruar nga Policia  në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.

Tutje në akuzë thuhet se i pandehuri Sadiku nga Bledijan Xhepi kishte blerë 1 kilogram marihuanë me çmim prej 400 euro, ku një pjesë të kësaj sasie, përkatesisht 37.42 gramë, e kishte fshehur në një vend tek ullukët nën kulmin e shtëpisë së tij, e cila pas kontrollimit ishte sekuestruar nga hetuesit policorë, ndërsa pjesën tjetër që e kishte blerë e kishte hedhur në një vend afër fshatit Suhodoll.