Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, i akuzuari për kanosje ndaj ish-bashkëshortes e pranon fajësinë

N.H. i akuzuar për dy vepra penale, njëra ndër to kanosje ndaj ish-bashkëshortes, ka pranuar fajësinë në seancën e mbajtur sot në Gjykatën e Mitrovicës.

I lartcekuri akuzohet se në qershor të këtij viti në një fshat të Mitrovicës në shtëpinë familjare të ish-bashkëshortes ka shkatërruar ose dëmtuar pronën e personit tjetër.

Sipas akuzës, i pandehuri N.H. me përdorimin e forcës kishte thyer dritaret e dhomës së ditës së shtëpisë familjare – ku ishin edhe anëtarët e familjes së tij – bashkëshortja me tre fëmijët, raporton KALLXO.com.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Po ashtu, në datën dhe vendin e njëjtë rreth orës 23:05 i pandehuri kishte kanosur seriozisht me fjalë personin tjetër se do ta privojë nga jeta ose do t’i shkaktojë lëndime të rënda trupore.

Kështu që në natën kritike kishte hyrë në shtëpi, pastaj kanos me fjalët “do t’i vras të gjithë ata që jetojnë aty“, e kur ishte në Polici kishte deklaruar se kur të lirohet do ta vriste ish-bashkëshorten dhe të gjithë anëtarët e familjes së saj, gjë që krijoi frikë, pasiguri dhe shqetësim te të gjithë anëtarët e familjes.

Me këtë i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale të kanosjes.

Në seancën e sotme të mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës pas leximit të aktakuzës nga prokurori, i pandehuri ka deklaruar se e pranon fjalësinë për veprën me të cilën ngarkohej nga Prokuroria.

Po ashtu, i pandehuri i ka premtuar Gjykatës që më nuk do të përsërisë një vepër të tillë.

Pranimi i fajësisë u mbështet edhe nga Prokuroria.

Kurse mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Hidajete Mazhiqi, ka kërkuar nga Gjykata që me rastin e matjes dhe lartësisë së dënimit për të pandehurin të merren parasysh rrethanat lehtësuese si ajo e pranimit të fajësisë dhe i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza apo edhe t’i shqiptohet ndonjë masë më e butë e dënimit.

Gjyqtari Rrahman Beqiri ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i pandehuri, ndërsa ka njoftuar palët se shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast do të bëhet më 28 gusht.