Foto-ilustrim

Mitrovicë, Gjykata shpalli aktgjykimin ndaj burrit që plagosi gruan në të dy këmbët

Gjykata e Mitrovicës ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit N.N., i cili kishte plagosur gruan në të dy këmbët, pasi që kjo e fundit ishte kthyer tel i njëjti pas ndarjes.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Sinisha Mandushiq, N.N. u dënua me gjashtë muaj burgim.

Kjo pasi që Gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga vrasje e rëndë në tentativë në veprën lëndim i lehtë trupor.

Ky rikualifikim ishte propozuar edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gani Rexha gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën e Mitrovicës.

Ndërsa e dëmtuara kishte kërkuar nga Gjykata që ta lirojë të pandehurin apo t’i shqiptojë ndonjë masë më të butë dënimi.

Andaj për veprat lëndim i lehtë dhe armëmbajtje pa leje N.N. u dënua me gjashtë muaj burg.

Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Tutje gjykatësi Mandushiq ka thënë se të akuzuarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, ndërsa për shpenzime procedurale duhet të paguajë 150 euro, paushall gjyqësor 20 euro, kurse për fondin e viktimave 50 euro.

Kërkesë pasurore-juridike nuk ka pasur, ndërsa Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e pistoletës me të cilën ishte kryer vepra.

Ndryshe sipas akuzës, në prill të këtij viti, i dyshuari në oborrin e tij në Mitrovicë me dashje ka tentuar ta vrasë bashkëshorten.

Prokuroria pretendon se çifti kishte pasur një konflikt verbal pas ndarjes, e cila ishte bërë sipas traditave zakonore, kurse procedura e divorcit ishte në proces gjyqësor.

Aktakuza përshkruan se e dëmtuara kishte shkuar në shtëpinë e të pandehurit me qëllim që t’i kërkojë falje dhe të kthehej prapë.

“Me të hyrë në oborr i dyshuari i cili kishte qenë në terasë të shtëpisë dhe derisa e dëmtuara i kishte thënë: “A je lodhë?“, i dyshuari ia kishte kthyer: “A erdhe a?“. E dëmtuara ishte përgjigjur: “Po, jam kthye te ti dhe te fëmija””, përshkruan aktakuza.

Në atë rast, gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri kishte nxjerrë armën e cila kishte pasur dy fishekë dhe ka shtënë dy herë në drejtim të të dëmtuarës.

Tutje në akuzën e Prokurorisë thuhet se dy predhat e kishin goditur në të dy këmbët duke i shkaktuar plagë, ndërsa pas kësaj i pandehuri kishte telefonuar Policinë.

Me këtë, i dyshuari akuzohet se ka kryer veprën penale tani të rikualifikuar – lëndim I lehtë trupor, kurse për shkak të posedimit të armës akuzohet se ka kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Mitrovicë-Burri akuzohet se e plagosi, gruaja kërkon nga Gjykata t’ia falë

www.kallxo.com