Mitrovica e Veriut. Foto: Kallxo.com

Mitrovicë: Festoi me armë se u bë axhë, dënohet me burg

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me një vit burg në kohë verifikimi prej dy vitesh dhe me 400 euro gjobë të akuzuarin Milan Gjoroviq.

Gjoroviq akuzohet se në vitin 2013 në Mitrovicë, para motelit “BB” nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve duke shtënë me armë shenjë festimi pasi që u bë axhë. Aktakuza thotë se kur shtiu në ajër me pushkë automatike të markës “Crvena Zastava“, ai ishte në gjendje të dehur.

Kjo armë më vonë i është konfiskuar nga ana e policisë.

Me këtë veprim ai akuzohej se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Meqë kishte përdorur armën duke shtënë në ajër ai akuzohej edhe për veprën penale përdorim i armës dhe armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Milan Gjoroviq me rastin e mbajtjes së shqyrtimit fillestar në gjykatën e Mitrovicës, para gjykatësit të rastit Gëzim Ademi e ka pranuar fajësinë.

Pranimi i fajësisë nga i pandehuri u aprovua nga gjykatësi Ademi, i cili me pas ka shpallur aktgjykimin ndaj tij.

Gjykata ndaj të akuzuarit Gjoroviq për veprën e parë shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ka marrë aktgjykim refuzues pasi që prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale, ndersa për veprën e dytë përdorim i armës Gjoroviq u dënua me dënim me burg prej një vitë me kohë verifikimi prej dy vitesh. Për veprën e tretë, armëmbajtje pa leje, gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë prej 400 euro.