Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, burri në gjyq për dhunë fizike e psikike ndaj gruas

Në Gjykatën e Mitrovicës është shtyrë seanca dëgjimore në rastin ku e dëmtuara N.N. për shkak të dhunës fizike dhe psikike ka kërkuar nga Gjykata caktimin e urdhrit mbrojtës.

Shtyrja e seancës ka ndodhur me kërkesë të përfaqësuesit me autorizim të palës përgjegjëse, avokatit Dejan Vasiq, i cili e ka njoftuar Gjykatën se është  i zenë në një rast tjetër në Gjykatën e Prishtinës.

Gjykatësi Skender Shala e ka aprovuar kërkesën e të autorizuarit të palës përgjegjëse dhe e ka shtyrë seancën për një datë tjetër.

Ndryshe gruaja N.N. nga veriu i Mitrovicës, përmes mbrojtësit të viktimave Burhan Magjuni, ka kërkuar nga Gjykata lëshimin e urdhrit për mbrojtje.

Kjo për aryse se viktima N.N. nga bashkëshorti i saj, pala përgjegjëse M.M., është keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht.

Pala e mbrojtur vazhdimisht ka pasur probleme dhe mosmarrëveshje me palën përgjegjëse, i cili sipas kërkesës së për urdhër mbrojtje, të siguruar nga KALLXO.com, luan bixhoz dhe është përdorues i alkoolit.

Në nëntor të vitit 2019, nga dhuna psikike pala e mbrojtur është larguar nga pala përgjegjëse, me ç’rast është detyruar që të kërkojë ndihmë mjekësore dhe për disa ditë është trajtuar në spital, ku pas daljes nga spitali ka shkuar për të jetuar te familja e saj ndërsa tre fëmijët e mitur kanë mbetur te pala përgjegjëse.

Mirëpo pala e mbrojtur ka shkuar në Qendren për Punë Sociale në veri të Mitrovicës që t’i njoftojë për rastin dhe t’ia mudësojnë asaj që t’i shohë fëmijët e saj.

Gjithashtu, pala e dëmtuar ka kërkuar që fëmijët t’i besohen në kujdes asaj, pasi që sipas kërkesës fëmijët janë në gjendje të keqe pasi që pala përgjegjëse është alkoolist dhe nuk kujdeset për fëmijët.

Andaj duke u bazuar në të dhënat e lartcekura pala përgjegjëse ka kryer dhunë në familje të paraparë sipas Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, andaj i kanë propozuar Gjykatës që pas shqyrtimit të provave dhe përfundimit të seancës dëgjimore të merret aktvendim dhe të lëshohet urdhër për mbrojtje , përmes së cilit personit, përkatësisht burrit të të dëmtuarës, i vendoset masa mbrojtëse e ndalimit të shqetësimit personave të ekspozuar dhunës si dhe që kujdestaria e fëmijës përkohësisht i besohet viktimës së dhunës në familje.

 

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.