Ilustrim

Mitrovicë - Aktakuzë për 5 euro ryshfet

 

Në Gjykatën e Mitrovicës sot ka dështuar të mbahet gjykimi për dhënie ryshfeti daj të akuzuarit Ardian Alushaj.

Alushaj akuzohet se në korrik të vitit 2016, në Mitrovicë, i kishte ofruar zyrtarit policor shumën prej 5 euro, pasi ishte ndaluar me motoçikletë pa dokumentacion.

I pandehuri Alushaj nuk ishte prezent në seancën e paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Mitrovicës.

Për mungesën e të akuzuarit, gjykatësi Bekim Veliqi, ka deklaruar se nga fletëkthesa e Gjykatës konstatohet se pala gjendet jashtë vendit.

Në këto rrethana gjykimi është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndërsa do të ndërmerren veprimet ligjore për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Alushaj në korrik 2016, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, në Mitrovicë, derisa ishte ndaluar duke drejtuar motoçikletën e markës “YAMAH”, pa targa, dhe nuk kishte poseduar dokumentacion, i kishte ofruar personit zyrtar kartëmonedhën prej pesë euro, për ta liruar dhe për të mos vazhduar procedurat e mëtejme.

Ardian Alushaj, Dhënie ryshfeti, Bekim Veliqi, Gjykata e Mitrovicës