Ilustrim

Mitrovicë – Aktakuzë ndaj burrit që rrahu bashkëshorten në sy të fëmijës

Prokuroria e Mitrovicës akuzon personin NN se në dhjetor të vitit 2019 në banesën e tij në Mitrovicë, nën ndikimin e alkoolit, pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij të dëmtuaren MM, ka përdorur forcën fizike kundër saj.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari e kishte goditur gruan e tij disa herë radhazi me shuplaka në fytyrë në prani të fëmijës.

Pas kësaj e dëmtuara MM ishte detyruar që të dal jashtë banesës, ndërsa sipas akuzës asaj i ishte shkaktuar ndjenjë ankthi, frike e pasigurie.

NN akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm“.

“I pandehuri ka ushtruar dhunë fizike në familje ndaj anëtarit të familjes bashkëshortes së tij – të dëmtuarës MM, të cilën e ka sulmuar duke përdorur forcë fizike kundër saj, te e njëjta ka shkaktuar dhimbje fizike”, thuhet në aktakuzë. Ndërsa me këto veprime Prokuroria e akuzon të pandehurin NN për veprën penale Dhuna në familje.

Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën e Mitrovicës pas leximit të akuzës i pandehuri NN u deklarua se e ndien vetën fajtor për veprën penale të sulmit, ndërsa ka thënë se nuk ndihet fajtor për veprën penale në pikën dy të aktakuzës atë të dhunës në familje, sepse siç ka thënë ai nuk ka ushtruar dhunë në familje, ndërsa veprën e parë e kishte kryer nën ndikimin e alkoolit.

Pranimi i fajësisë është mbështetur nga prokurori i rastit Ibrahim Fejza, i cila ka thënë se e mbështet pranimin e fajësisë nga i pandehuri për veprën si në dispozitivin e parë të aktakuzës, ndërsa ka thënë se vazhdon të mbetet prapa akuzës për veprën si në pikën dy të aktrakuzës.

Mirëpo pranimi i fajësisë nuk është aprovuar nga gjykatësi i rastit Rrahman Beqiri.

Gjykatësi Beqiri ka thënë se sipas tij nuk janë plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e fajësisë.

Pas kësaj palët janë njoftuar se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtimet e tyre në lidhje me aktakuzën nëse kanë, kurse për to gjykatësi do të vendos jashtë seancës gjyqësore.