Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Mitrovicasi dënohet për lidhje ilegale të rrymës

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me katër muaj burg me kusht të akuzuarin Avdi Ismajli për vjedhje të shërbimeve komunale.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari Rrahman Beqiri.

Dënimi ndaj të akuzuarit Ismajli nuk do të ekzekutohet nëse për një vit nuk kryen ndonje vepër tjetër penale.

Po ashtu i akuzuari është detyruar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën në vlerë prej 20 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave, shumën prej 30 euro.

Gjykatësi Beqiri, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka thënë se si rrethana lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit ka marrë gjendjen e dobët ekonomike të pandehurit, rrethanat personale të tij, si dhe cilësinë e mbajtësit të familjes.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzonte Avdi Ismajlin për veprën penale vjedhja e shërbimeve komunale, raporton Kallxo.com

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga dita e pacaktuar e deri më 09 tetor 2017, në shtëpinë e tij, në fshatin Suhodoll i Epërm, në Komunën e Mitrovicës, me qëllim që vetës t’i sjellë përfitim pasuror, me ndihmën e kabllos elektrike është kyçur nga një shtyllë afër, duke bërë që shpenzimi e energjisë elektrike të mos regjistrohet.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë veprim ai i kishte shkaktuar kompanisë KEDS një dëm në vlerë prej 162,23 euro.