Miratohet në parim projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare

Më 8 vota për Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komisionin për Legjislacion gjatë shqyrtimit të projektligjit tha se qëllimi i kësaj marrëveshje është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile dhe tregtare mes dy vendeve, dhe lehtësimin e procedurave në këtë fushë.

“Kjo marrëveshje zbatohet për procedurat që përfshijnë gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës çështjet e pronësisë, e po ashtu marrëdhëniet e tjera civile dhe tregtare të personave fizik dhe juridik”, shtoi ajo.

Haxhiu tha se kjo marrëveshje ndër tjera adreson çështjen e mbrojtjes se te drejtave të njeriut në kuptimin e qasjes në gjykatë e të drejta të tjera.

Çështje tjetër është edhe përjashtimi nga legalizimi i dokumenteve publike.

“Pra dokumentet e lëshuara nga gjykatat apo autoritetet e tjera publike të autorizuar, noterët dhe përmbaruesit privat apo autoritet e tjera kompetente qe janë vërtetuar me nënshkrim dhe vule përkatëse, nuk do të jene objekt i legalizimit apo formaliteti ekuivalent”.

Ndërsa si çështje e fundit e rregullimit të kësaj marrëveshje sipas Haxhiu është ndihma juridike dhe lirimi nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore për palët e dy shteteve.