Ministrja Rozeta Hajdari pranon fajësinë për mos deklarim të pasurisë

Ministrja Rozeta Hajdari e ka pranuar fajësinë për akuzat për mos deklarim të pasurisë.

Hajdari, deklaroi se është këshilluar gabueshëm, që mundet të deklarojë pasurinë në fund të mandatit të ministrit.

“Unë duhet të ndihem në faj, meqë ka ndodhur një konfuzion, për shkak të pandemisë Covid-19, atëherë, është shtyrë afati ligjor, unë jam këshilluar që mundem të deklaroj pasurinë në fund të mandatit, kështu personalisht, fizikisht, kam shkuar vet në fund të mandatit” – tha vet Ministrja Hajdari në Gjykatë.

Mbrojtja e Ministres, kërkoi nga gjykata që të aprovohet pranimi i fajësisë së ministres.

Prokuroria gjithashtu u pajtua me pranimin e fajësisë.

Avokati mbrojtës i ministres Hajdari, në fillim të gjykimit kërkoi që ky rast të kalojë në ndërmjetësim.

Këtë propozim e kundërshtoi prokurori i rastit Bekim Kodraliu, meqë sipas tij nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të kaluar në këtë procedurë.

“Konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për kalim në ndërmjetësim pasi që rasti në fjalë, si vepër është në kapitullin e veprave penale të korrupsionit” – tha prokurori.

Mbrojtja e kundërshtoi këtë pretendim të prokurorisë, duke u thirrur në ligjin për ndërmjetësim duke thënë se lejohet dhe i kërkoi gjykatës që ta aprovojë këtë kërkesë.

Gjyqtarja e rastit, Donika Shala propozimin e mbrojtjes e refuzoi që të referojë rastin në procedura të ndërmjetësimit.

Shpallja e vendimit pritet të bëhet nesër, më datë 29 dhjetor.

Prokuroria e akuzon Rozeta Hajdarin se në cilësinë e ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nuk  e ka respektuar ligjin dhe ka kryer veprën penale mosraportim të pasurisë ose raportim i rremë i pasurisë.

Prokuroria pretendon se edhe pse ministrja ishte e njoftuar me kohë për detyrimin e deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si Ministre, e edhe pas shtyrjes së afatit nga Agjencia Kundër Korrupsionit AKK për shkak të pandemisë, e njëjta përsëri nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur këtë rast – LINK