Seanca ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve - 30.04.2021 - FOTO - Era Hasani - KALLXO

Ministri Liburn Aliu deklarohet para gjykatës rreth fajësisë (VIDEO)

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është ulur sot në bankën e të akuzuarve nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I njëjti në këtë gjykim pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores, Dulina Hamiti, është deklaruar shkurt rreth fajësisë.

“Jo nuk e pranoj akuzën”, tha shkurt Aliu.

Edhe zyrtarët tjerë të akuzuar në këtë rast deklaruan njëjtë se nuk i pranonin akuzat që i rëndojnë.

KALLXO.com ka raportuar me datë 23.03.2021 se në një rast me Aliun, të akuzuar janë edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi.

Në po atë ditë Prokuroria ka dalë me një komunikatë ku ka treguar se për çfarë akuzohen ministri i tanishëm dhe zyrtarët tjerë.

“Prokurori i Shtetit, me datë 17.04.2019, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’ rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë rast, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (me datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 422 të KPRK-së. Të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, Liburn Aliu në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com ka thënë se për herë të parë po dëgjon për këtë gjë.

Nuk  e di. Jo [s’jam në dijeni]. Për herë të parë po e nij”, tha shkurt Liburn Aliu.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në korrik 2020 ka ngritur aktakuzë kundër Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi, të cilët akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, se kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar.

Kurse, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi, prokuroria i akuzon edhe për veprën ‘Mosekzekutim të vendimeve Gjyqësore’.

Të lartë-cekurit Olluri, Uka dhe Berisha – Prestreshi, në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, nuk e kanë zbatuar vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e gjithashtu as vendimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas aktakuzës, tw pandehurit Liburn Aliu, Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi, kanw nxjerrw dy vendime duke mos e zbatuar Planin Zhvillimor Urban, si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” zona perëndim që ka paraparë ndërtim individual për banim.

Prokuroria pretendon, se me qëllim që t’u shkaktohet dëm të dëmtuarve, të pandehurit e kanë refuzuar si të pabazë kërkesën e tyre për lejimin e kushteve ndërtimore të të dëmtuarve, për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit në kuadër të bllokut urban ”1-1” dhe “1-2” të tërësisë hapësinore “I” të Planit Rregullues Prishtina e Re Zona Perëndim.

Në aktakuzë përshkruhet edhe rrjedha e ngjarjeve që ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës.

Historiku i Çështjes

Prokuroria në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal nga të dëmtuarit kundër të akuzuarve të lartë përmendur, e kështu ka nisur edhe hetimi ndaj të njëjtëve.

Drejtoria e Urbanizimit nuk i ka respektuar rekomandimet e Ministrisë dhe kanë refuzuar kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore.

Kështu, pronarët e parcelave kanë paraqitur ankesë në Ministri, e cila ka nxjerrë vendim që shfuqizon vendimin e Drejtorisë së Urbanizimit, dhe ka obliguar atë që të veprojë në bazë të vendimit të Ministrisë,

Përsëri, Drejtoria me vendim, refuzon kërkesën e pronarëve të parcelave, të cilët ankohen në Ministri dhe kjo e fundit ua pranon atë ankesë, duke shfuqizuar vendimin e Drejtorisë së Urbanizimit.

Kundër vendimit të Ministrisë, Komuna e Prishtinës, ka iniciuar konflikt administrativ në Gjykatë, me kërkesë për anulimin e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe me kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të këtij vendimi të kësaj Ministrie.

Gjykata me datë 08.11.2017 ka nxjerrë vendim me të cilin e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e Komunës së Prishtinës lidhur me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kundër vendimit të shkallës së parë, Komuna është ankuar në Apel, e cila me aktvendim ka refuzuar ankesën e paditëses dhe e ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.

6 muaj pas vendimit të Ministrisë, arkitekti Zejnulla Rexhepi dhe Nazife Krasniqi- shefe e sektorit të Urbanizimit, në janar 2018, kanë përpiluar një njoftim publik dhe kanë vendosur në parcelë dhe në rrugë publike në distancë prej 50 m nga kufijtë e parcelave të kadastrave, për të cilët të dëmtuarit kanë kërkuar kushtet ndërtimore dhe qytetarët kanë pasur 5 ditë kohë që të paraqesin ankesa apo komente, mirëpo asnjë nuk është paraqitur.

Përkundër kësaj, Drejtoria e Urbanizmit nuk vazhdon procedurë për nxjerrjen e vendimit për caktimin e kushteve ndërtimore, por në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Drejtoria e refuzon kërkesën për caktimin e kushteve ndërtimore.

Ky vendim i Drejtorisë, është nënshkruar nga Ardian Olluri – drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Bahtie Uka – arkitekte e Drejtorisë së Urbanizimit dhe nga ushtruesja e detyrës së shefes së sektorit të Drejtorisë së Urbanizmit.

Me këtë vendim, Drejtoria ka refuzuar kërkesën e pronarëve të parcelave për lejimin e kushteve ndërtimore dhe po kundër këtij vendimi pronarët e parcelave kanë bërë ankesë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kjo ministri në korrik të 2018, ka nxjerrë vendim, me të cilin vendimin e Drejtorisë së Urbanizmit e ka shpallur të pavlefshëm.

Nga ky vendim, të akuzuarit e rastit prapë kanë filluar ta trajtojnë lëndën nga fillimi.

Në bazë të këtyre veprimeve prokuroria me aktakuzë pretendon se të pandehurit, të dëmtuarve i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Dështon seanca ku i akuzuar është Liburn Aliu