Ministri Ekrem Mustafa del para gjykate

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa sot ka dal para Gjykatës së Ferizajt pasi Prokuroria e akuzon se kishte goditur auto ambulancën dhe kishte shkaktuar rrezikim të trafikut publik.

Ministri në detyrë është deklaruar i pafajshëm para gjykatësit të rastit. Sipas aktakuzës së prokurorisë me datë 23 prill 2014 rreth orës 16:20 në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, në fshatin Prelez, Mustafa duke drejtuar automjetin nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.

Prokuroria e ka përshkruar edhe aksidentin e shkaktuar nga ministri.

“Duke drejtuar automjetin ‘Toyota Land Cruiser’ nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve , në atë mënyrë që ndërmerr veprimin e ç’kyqjes nga rruga magjistrale për në parkingun në anën e kundërt pa u bindur se nuk i rrezikon ose i pengon pjesëmarrësit e tjerë të trafikut publik për pasojë nga automjetit e ndihmës së parë i cili pas goditjes së këtij nga inercioni i humb kontrolli dhe përplaset me dy automjete tjera të cilat ishin të parkuara në parkingun e kompanisë ‘Kompakt’.

Prokuroria thotë se përveç dëmeve materiale në katër automjete, lëndime të rënda trupore kanë pasuar dy persona dhe një tjetër kishte përsuar lëndime të lëhta.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Avdullah Abedini, mbrojtësi i ministrit, avokati Visar Vehapi deklaroi se prokuroria nuk i ka dërguar atij kopjen e deklaratave të dëshmitarëve të cilët i ka propozuar si dhe nuk e di se a janë marrë në pyetje nga prokuroria ose policia këta dëshmitarë

Gjyqtari i rastit Adem Shabani pas deklarimit të të akuzuarit Ekrem Mustafa i caktoj afatin ligjor 30 ditë për kundërshtim të provave si dhe sjelljen e provave të reja dhe pas kësaj të caktohet shqyrtimi gjyqësor.