Mes lotësh, dëshmitari rrëfen për shpërthimin në Zhur ku mbeti i vrarë polici Sami Thaçi

Dëshmitari dhe i dëmtuari Jetmir Hasanaj, mes emocioneve e lotëve rrëfeu për ngjarjen e ndodhur në fshatin Zhur, ku nga një shpërthim i eksplozivit kishte mbetur i vdekur polici Sami Thaçi.

“Më falni nuk po iu dëgjoj mirë, a mund të m`i përsëritni fjalët”, thoshte shpesh dëshmitari, i cili nga ky shpërthim kishte humbur rreth 80% të dëgjimit.

Hasanaj tha se ditën kritike me datë 28 janar 2020, deri sa kishte qenë në orarin e punës me “Golf kontroll” kanë marrë informacion se një person i dyshuar posedon substanca narkotike.

Tutje, ai theksoi se pas marrjes së informacionit, shefi i Njësisë Arsim Bytyqi ka filluar me procedurat e bastisjes dhe ka kontaktuar me prokurorin përgjegjës.

Në vendin e ngjarjes, sipas tij, kanë hyrë fillimisht Njësia e reagimit të shpejtë, e më pas edhe Njësia DHTN, pjesë e së cilës ka qenë edhe vet ai.

Ai po ashtu shtoi se fëmijët kanë dashur t’i tregojnë vendin e narkotikëve, prandaj ai së bashku me ta dhe kolegët Artur Mrasori dhe të ndjerin Sami Thaçi kishin shkuar në katin e dytë.

Ndërsa sa i përket momentit të shpërthimit, Hasanaj deklaroi se ka ndodhur shpejtë, prandaj edhe nuk ka vërejtur se nga ka ardhur.

“Pas shpërthimit i kam prekur gjymtyrët e mia ku kam vërejtur se jam gjakosur shumë, dukshmërinë nuk e kam pas të mirë. Mezi kam dalë jashtë dhomës ku Flamur Veselaj dhe Faton Veselaj më kanë bartur deri në oborr”, tha Hasanaj.

Në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar Blerim Mazrekut, se çfarë kishte ndodhur lidhur me kolegun Sami Thaçi, dëshmitari filloi të qajë.

Pas kësaj pyetje, Hasanajt iu rëndua gjendja emocionale dhe trupi gjykues mori vendim për shtyrjen e seancës.

Seanca e radhës u caktua me 17 dhe 23 dhjetor 2021.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjete eksplozive dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza, thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku, ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallait dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Çollaku, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata në Prizren, të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për dy vepra penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa zyrtarëve të tjerë të Policisë si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë ngjarje – LINK

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë – LINK