Gjykimi për tentim vrasje - Foto: KALLXO.com

Merr fund gjykimi për tentim vrasje në Istog, pritet vendimi i Gjykatës

Në  procesin gjyqësor kundër Luan Arifajt, i cili akuzohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, palët dhanë fjalën përfundimtare.

Aktakuza ngarkon edhe Enver Arifajn për kanosje, por ky i fundit paraprakisht ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, në fjalën përfundimtare tha se gjendja faktike në esencë nuk është kundërshtuar as nga vetë të akuzuarit. Ajo mbeti në tërësi pranë kualifikimit ligjor,  të gjitha propozimeve në aktakuzë si dhe kërkoi nga Gjykata e Pejës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Mbrojtësja e të dëmtuarit Ukë Idrizaj, avokatja Albana Kelmendi, e përkrahu në tërësi fjalën përfundimtare të prokurores së shtetit, duke shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i pandehuri Luan Arifaj, pasi kishte pasur mosmarrëveshje me të dëmtuarin Ukë Idrizaj, me dashje ka ndërmarrë veprimin me qëllim të vrasjes.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Luan Arifaj, avokati Haxhi Millaku, në fjalën përfundimtare tha se veprimi i të mbrojturit të tij ka qenë një veprim tipik i vetëmbrojtjes.

Ai tha se nëse Gjykata vjen në përfundim që ka tejkalim të vetëmbrojtjes atëherë duhet vlerësuar rrethana se i mbrojturi i tij  ka mundur të jetë emocionalisht i ndjeshëm dhe i përçmuar për shkak të situatës ku, sipas tij, i ofendohet, fyhet e denigrohet babai i tij.

“Nëse trupi gjykues në çfarëdo mënyrë nuk gjen prova të mjaftueshme qe ta liroj nga akuza sepse veprimet e tij kanë qenë në suaza të mbrojtjes se nevojshme, atëherë te bej ricilësim në vepër penale të lëndimit të lehtë trupor” tha Millaku.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga kryetarja Lumturije Muhaxheri dhe anëtarët Sami Sharraxhiu dhe Violeta Husaj-Rugova.

Prokuroria akuzon Luan Arifajn se më 10.10.2018 në fshatin Muzhevinë të Istogut, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Ukë Idrizaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Luan Arifaj pasi kishte dëgjuar fjalët nga babai i tij, Enveri, i kishte thënë të dëmtuarit se pse po ma kërcënon babanë. Në këtë rast, i dëmtuari Ukë Idrizaj u kishte thënë “po i çoj gratë në shpi dhe po kthehem e po merremi vesh”.

Mosmarrëveshja, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kishte nisur pasi që sipas të dëmtuarit, i akuzuari Enver Arifaj po ia dëmtonte frytet në livadhin që ai e kishte marrë me qira, duke i futur lopët në të.

Dosja e Prokurorisë sqaron se me t’u paraqitur i dëmtuari Ukë Idrizaj bashkë me djalin e tij, Ylberin, i akuzuari Luan Arifaj fillimisht i drejtohet të dëmtuarit me fjalët: “Pse ti po ma kërcënon babën”, e pastaj ka shtënë me armë në drejtim të tij, duke e qëlluar në regjionin e sipërm të këmbës së majtë.

Më këto veprime Luan Arifaj akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë dhe  armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Enver Arifaj akuzohet se në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend ka kanosur të dëmtuarin Ukë Idrizaj, duke tentuar ta godasë me një hu në kokë. Por, i pandehuri është penguar nga djali i të dëmtuarit, Ylberi.

Istog, konflikti që dyshohet se ndodhi për shkak se i shtinte lopët në livadh

Aktgjykimi në këtë rast shpallet më 11 tetor.