Ilustrim

Mërgimtari i plagosur gjatë grabitjes në Shtime refuzon të operohet

Pronari i shtëpisë në Shtime, e cila në orët e para të mëngjesit të së mërkurës dyshohet se ishte bërë cak i një grabitje, mbeti i plagosur në vendin e ngjarjes.

Bashkë me të mbeti i vrarë edhe njëri nga personat e dyshuar që po tentonin grabitjen.

Pronari i shtëpisë, është një mërgimtar nga Zvicra. Sipas familjarëve ai u plagis në këmbë dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

I njëjti është dërguar për operim pas plagëve që ka marrë. Por sipas kryeprokurorit të Ferizajt, Shukri Jashari ai ka refuzuar të operohet. Jashari ka thënë se mërgimtari është kthyer përsëri në Qendrën e Ndalimit.

Kallxo.com, mëson se i dyshuari i cili ka vdekur është nga Prishtina. Po ashtu sipas kryeprokurorit të Ferizajt, personi që ka mbetur i vrarë ka qenë i njohur për Prokurorinë pasi ka kryer 41 vepra penale.

Lidhur me vdekjen e tij deri me tani është ndaluar Nuhi Nrecaj.

Vrasje në Shtime

Gjatë ditës  Prokuroria në Ferizaj ka dhënë detaje lidhur me vrasjen në Shtime.

Sipas njoftimit, ngjarja kishte ndodhur në ora 3:00 të mëngjesit në “Lagjen e Pajtimit” të qytezës së Shtimes, ku në atë rast ishte kryer edhe një grabitje.

“Sipas informatave të para që posedon Prokuroria, grabitësit janë konfrontuar me pronarin e shtëpisë dhe si pasojë e kanë plagosur  pronarin e shtëpisë me armë zjarri, ndërsa, 300 metra larg shtëpisë, është gjetur trupi i pajetë i njërit nga grabitësit”, bëri të ditur  Prokuroria e Ferizajt.

Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndaluar dy persona prej 48 orësh ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth vrasjes në Shtime.

“Policia ka marrë një informatë rreth orës 03:20 për të shtëna me armë zjarri dhe ka dalë menjëherë në vend të ngjarjes. Raportohet se 3 ose 4 persona kanë tentuar ta grabisin një shtëpi”, tha Hajdini për KALLXO.com.

“Grabitësit e dyshuar kanë kërkuar nga pronari i shtëpisë që të dorëzohet por ai nuk ka pranuar. Më pas ata kanë gjuajtur me armë dhe e kanë plagosur në këmbë”, shtoi Hajdini.

“Identiteti i të vdekurit ende nuk dihet. Ai është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Vrasja ka ndodhur me mjete të forta ndërsa dyshohet të jenë përdorur edhe mjete të mprehta sepse hetuesit kanë gjetur një thikë në vendin e ngjarjes”, tha zëdhënësi Hajdini.

I vrari gjatë grabitjes në Shtime kishte 41 vepra penale

Personi i vrarë në Shtime është nga Prishtina