Sami Lushtaku dhe Mërgim Lushtaku | Foto: Sami Lushtaku/Facebook

Mërgim Lushtaku nuk i tregoi Sami Lushtakut se sot e ka gjykimin, anulohet seanca

Gjykimi ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rexhep Xhotës, Fatmir Mjakut, Sheremet Jasharit, Bajram Dibranit, Skender Tahirit dhe Rrustem Rrukollit ka dështuar të mbahet sot për shkak të mungesës së dy të akuzuarve

Sami Lushtaku dhe të tjerët po akuzohen se kanë penguar dhe frikësuar dëshmitarët.

Të akuzuarit Sami Lushtaku dhe Fatmir Mjaku nuk u paraqitën sot në gjykatë me ç’rast trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj (kryetar), dhe Valbonë Selimaj e Musa Konxheli (anëtarë) vlerësoi se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.

Avokati i Samit Lushtakut, Artan Çerkini arsyetoi mungesën e klientit të tij për shkak se djali i Sami Lushtakut nuk ia kishte përcjelle babait të tij informatën se seanca do të mbahej sot.

Avokati Çerkini e ka konfirmuar për KALLXO.com se ai e kishte njoftuar Mërgim Lushtakun, djalin e Sami Lushtakut për seancën e sotme.

“Po, është e vërtetë që avokati ma ka përcjell informatën, por unë nuk kam arrit me e njoftu prindin tim për shkak të angazhimeve” – ka thënë shkurtimisht deputeti Mërgim Lushtaku për KALLXO.com.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit Fatmir Mjakut, Selatin Ahmeti tha se me klientin e tij nuk ka komunikuar që një kohë të gjatë.

Sipas prokurorisë, pandehurit po akuzohen se kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Në këmbim të mohimit të deklaratës në procedurë paraprake, sipas Prokurorisë, të pandehurit i kishin paguar dëshmitarit “C” edhe trajtimin e gruas së tij në spital.

Kjo deklaratë e rrejshme kishte penguar në gjykimin e rastit P.938/13, ku ishin liruar nga akuza të pandehurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci dhe Ismet Haxha.

Këta dëshmitarë dyshohet se kanë dhënë deklarata të rrejshme në shqyrtimin gjyqësor ku po gjykoheshin Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Sabit Geci dhe Ismet Haxha për rastin e arratisjes nga QKUK-ja.

Sipas prokurorisë ata dyshohet të kenë mohuar deklaratat e dhëna në procedurë paraprake si rezultat i ndikimit nga të pandehurit.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.

Përveç këtij dëshmitari, ata dyshohen se kanë ndikuar edhe në një dëshmitar tjetër duke e kërcënuar.

Dëshmitari “F” sipas prokurorisë është kërcënuar dhe pastaj i janë dhënë para në vlerë prej 109 mijë euro në këmbim të mohimit të deklaratës së tij të dhënë në procedurë paraprake.

Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë shkeljet sipas Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar krimininal”.

Gjatë seancës së sotme, Gjykata u përballë me një person i cili ishte ftuar gabimisht në gjykatë.

Gjykata kishte thirrur gabimisht një person me emër të njëjtë të të pandehurit Skender Tahiri, i cili tha se nuk është hera e parë që i ndodh një gjë e tillë.

Kryesuesi i trupit gjykues Kurtaj sqaroi se tani e tutje do të bisedohet me avokatin e të pandehurit dhe të sigurohet që ftesa t’i shkojë të pandehurit dhe jo dikujt tjetër.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E.Th. për dy vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohet i pandehuri Thaqi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”

Tutje Emshrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishin liruar në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.

Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “Arratisje e personit të privuar nga liria”, “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzoheshin për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzoheshin për veprën penale të “Ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria”.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzoheshin për veprën penale pengimi i Dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje”.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzoheshin edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, akuzoheshin për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Seanca e ardhshme u caktua të mbahet më 19 korrik, në të cilën do të propozohohen dëshmitarët nga palët dhe do të koordinohen lidhur me datat e mbajtjes se shqyrtimeve të ardhshme.

Shënim: Artikulli është edituar, duke ia shtuar edhe përgjigjen e deputetit Mërgim Lushtaku.