Arkiv - Rasti 'Arratisja nga QKUK', 10.03.2020 - FOTO KALLXO

Mërgim Lushtaku mbrohet në heshtje në gjykimin 'Arratisja nga QKUK'-ja

Në procesin gjyqësor të njohur si “Arratisja nga QKUK” ndaj të akuzuarve: Sami Lushtakut, Sahit Jasharit, Ismet Haxhës, Mërgim Lushtakut dhe të tjerëve, të akuzuar për veprën arratisje e personit të privuar nga liria, i akuzuari Mërgim Lushtaku u mbrojt në heshtje.

Mërgim Lushtaku deklaroi  se: “E shfrytëzoj të drejtën të mbrohem në heshtje”.

Po i njëjti shtoi se: “Siç kam potencuar çdo veprim i imi ka qenë publik, kam  vepruar në bazë të asaj që kam mendu se po rrezikohet jeta e babait tim së pari dhe shokëve të tij Sahitit dhe Ismetit”.

“Besoj në vendimmarrjen e juaj, ne dëshirojmë që për këtë çështje penale të dalë e vërteta në pah, sepse nuk është dashur të vijë gjykimi pasi që e dimë se gjykatësi Silincki e ka tërheq vendimin për transfer”.

Aktakuza përfshinë një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut, drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.

I akuzuari Sami Lushtaku në seancën e sotme deklaroi se ai i kishte thënë familjes së tij se i gjallë nuk pranon të shkojë ne Mitrovicën e veriut.

“Avokati im e ka njoftu familjen dhe i kam thënë se: “I gjallë nuk shkoj në Mitrovicë”, deklaroi i akuzuari Sami Lushtaku.

 

https://kallxo.com/ligji/sami-lushtaku-ne-gjykate-familjen-e-kam-njoftu-se-i-gjalle-nuk-shkoj-ne-mitrovice/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë proces gjyqësor ndaj Sami Lushtakut dhe të akuzuarve të tjerë – LINK