Me tensione e fjalosje ndërmjet të akuzuarve, fillon rigjykimi ndaj gruas së akuzuar se porositi vrasjen e burrit

Kanë kaluar katër vite që nga vrasja e Abedin Bytyqi nga Suhareka, trupi i të cilit u dogj dhe u mbulua me dhe në një ma në fshatin Peqan.

57 vite burg  kishte shqiptuar në tetor të vitit 2019 Gjykata Gjykata e Prizrenit për 3 nga 4 të akuzuarit për vrasjen mizore të Abedin Bytyqit.

Trupi gjykues e kishte dënuar Murat Ademin me 25 vjet burg, bashkëshorten e të ndjerit Abedin Bytyqi, Resmije Bytyqin me 20 vjet burg dhe Fadil Fetiun me 12 vjet burg përderisa e kishte liruar nga akuza te akuzuarin Reshat Ademi.

Motivi i vrasjes mizore të 6 tetorit 2016 sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi, e cila gjatë gjykimit ka qenë e heshtur dhe nuk ishte deklaruar kur i kishte ardhur radha të jepte mbrojtjen.

Por Gjykata e Apelit e kthyer rastin në rigjykim, dhe ka kontestuar shumë çështje që janë lënë të hapura gjatë gjykimit.

Seanca e sotëm u përcoll me fjalosje dhe tensione ndërmjet të akuzuarve, kurse i akuzuari Murat Ademi i cili në gjykimin e parë ishte dënuar me 25 vite burgim, ka drejtuar fjalë ofenduese dhe kërcënuese ndaj babait të bashkakuzuarës Resmije Bytyqi.

“Zoti ju mallkoftë me nipa e mbesa”, ishin fjalët e të akuzuarit Ademi drejtuar dëshmitarit Bajram Ademi, ndërsa i njëjti u largua me forcë nga salla e gjykimit nga gardianët e burgut.

Gjatë kohës ku ri akuzuari Ademi po largohej nga salla e gjykimit, i njëjti në dalje u fjalos edhe me të bashkë akuzuarin tjetër Fadil Fetiu.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët kur gjatë gjykimit i akuzuari Murat Ademi kishte kërcënuar të bashkë akuzuarin Fadil Fetiu me fjalët “prej sot je i vdekur”.

 

Në këtë seancë dëshmuan 3 dëshmitarë, ndër ta edhe babai i të akuzuarës Resmije Bytyqi, si dhe  plaku Avdi Bytyqi, babai i të ndjerit Abedin Bytyqi.

Trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Xheladin Osmani, vendosën që seanca te radhës të mbahen më 21 dhe 29 tetor, ndërsa disa nga dëshmitarë që kanë qenë në gjykimin e parë janë të paarritshëm për Gjykatën sepse nuk gjenden në Kosovë.

Gjykata si dëshmitarë të rastit do të fton edhe zyrtarët Policor që kanë hetuar rastin që nga dita kur ka ndodhur ngjarja, kjo sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit që ka kthyer rastin në rigjykim.

57 vite burgim i kishte shqiptuar Gjykata e Prizrenit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Abedin Bytyqit.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Xheladin Osmani për rastin në fjalë kishte përpiluar një aktgjykim 100 faqe, ndërsa për Gjykatën e Apelit arsyetimi i këtij aktgjykimi voluminoz më tepër përmban një tregim të ngjarjes pa u thirrur në prova të cilat vërtetojnë ngjarjen, dhe se Gjykata e Prizrenit si shkallë e parë vetëm ka listuar provat por të njëjtat nuk i ka arsyetuar secilën veç e veç dhe pastaj t`i ndërlidh me njëra tjetrën.

Sipas Gjykatës së Apelit në aktgjykimin 100 faqe nuk janë dhënë arsyet për faktet vendimtare, dhe nuk ka përfillur vërejtjet e mbrojtësve për shumë çështje teknike por edhe ligjore dhe në këtë formë anulimi i aktgjykimit të shkallës së parë ishte i pa evitueshëm, andaj çështja është kthyer në rigjykim

“Aktgjykimi në aspektin kuantitativ është voluminoz, por me mungesa të theksuara të arsyetimit të provave të cilat do të sjellin deri te vërtetimi i fakteve të qarta të asaj se si ka ndodhur ngjarja dhe veprimet konkrete të secilit të akuzuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit që ka kthyer rastin në pikën zero, dhe ka ngritur shumë pikëpyetje në gjykimin që është zhvilluar pranë Gjykatës së Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi në bashkëpunim e të shtyrë nga Resmije Bytyqi, më 6 tetor 2016, rreth orës 15:30, kanë ndërmarrë veprime me qëllim të vrasjes së Abedin Bytyqit.

Të akuzuarin Fadil Fetiu aktakuza e ngarkonte për moslajmërim të veprës penale, por gjatë gjykimit dhe pasi të gjithë të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen e tyre dhe pas rrëfimeve të Murat Ademit, Prokuroria ndryshoi akuzën për të akuzuarin Fadil Fetiu.

Fadil Fetiu u akuzua për një vepër më të rëndë, pasi që sipas Prokurorit të rastit Genc Nixha, i njëjti i ka vënë në dispozicion Murat Ademit mjetin për kryerjen e veprës penale si dhe ka fshehur provat.