Me kërkesë të mbrojtjes shtyhet seanca ndaj ish-kryeshefit të akuzuar të KEK-ut, Nagip Krasniqi
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi është ulur sot më 19.09.2024 në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.
I pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet lidhur me rastin e tregtimit të energjisë elektrike me një kompani sllovene që sipas prokurorisë nuk kishte licencë për tregtim të energjisë elektrike dhe sipas prokurorisë si pasojë e kësaj dëmi i shkaktuar KEK-ut është mbi 3 milion euro.
Por seanca e sotme është shtyrë pas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Nagip Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga, i cili kërkoi të pajiset edhe me disa shkresa të lëndës.
Sipas avokatit Ibrahimaga kjo aktakuzë nuk është e plotë pasi në këtë aktakuzë nuk tregohet nga cili mjet elektronik janë marrë emailet si dhe provat e dorëzuara. I njëjti përmendi nenin 235, paragrafin 4 të kodit të procedurës penale në të cilin thuhet se në rast se aktakuza nuk i përmban informatat e përcaktuara me paragrafin 1, gjykata ja kthen prokurorit për ta përmirësuar.
Sipas tij në këtë procedurë gjithashtu mungojnë edhe deklaratat e disa dëshmitarëve.
“Mbrojtja gjithashtu ka dorëzuar parashtresën për dëshminë shfajësuese më datë 15.07.2024, kjo parashtresë nuk ju ka shpalosur gjykatës”– tha avokati Ibrahimaga.
Sipas prokurorit Dren Paca sa i përket parashtresës që përmendi mbrojtja dhe provat të cilat i njëjti i ka prezantuar, ai bëri të ditur se pas analizimit të tyre prokuroria ka vlerësuar së të njëjtat nuk janë relevante për çështjen e akuzës dhe normalisht nuk i propozojnë si prova të tyre por mbrojtja mund ta bëjë në çdo kohë pasi edhe ashtu janë prova të tyre.
“Nisur nga fakti që po bëhet që mbrojta po bëhet gati 1 muaj që ka pranuar provat dhe nuk ka reaguar asnjëherë lidhur me to nëse eventualisht do mungonte ndonjë“ – tha prokurori Dren Paca gjatë seancës së sotme.
“Po ashtu më habit fakti që kjo çështje duhet shtruar në këtë moment kur ka mundur që të kryhet në kohë” – shtoi tutje prokurori Paca.
Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti mori aktvendim për ta ndërprerë seancën e sotme dhe e njëjta shtyhet për muajin tetor.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 19.08.2024 ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas dosjes së prokurorisë i akuzuari Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15.10.2021 e në vazhdimësi deri me datë 19.04.2023 , në Prishtinë ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” HSE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Në aktakuzë thuhet që me dashje ka aprovuar blerjet, ka nënshkruar kontrata dhe ka autorizuar nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Tutje në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro, dëmtimin dhe diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.
– me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i gjeni duke klikuar në LINK.