Me dy aktakuza, kandidat për deputet nga AAK-ja

Koalicioni parazgjedhor në mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate nuk ka prodhuar një listë “të pastër” të kandidatëve për deputetë.

Nga 110 kandidatët që janë në listën e koalicionit Haradinaj-Ahmeti,  ka të tillë që po përballen me aktakuza nëpër Gjykata e Kosovës.

Shkumbin Demaliaj është njëri nga kandidatët e AAK-së për deputet për zgjedhjet e 6 tetorit, i cili në listën e koalicionit renditet me numrin 19.

I njëjti po përballet me dy aktakuza, njëra ka të bëjë më “ fryrjen e listave të veteranëve “ , ndërsa disa ditë më parë i është ngritur aktakuzë për kanosje, lidhur me deklarimet e tij ndaj ish- prokurorit Elez Blakaj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast përpos Shkumbin Demaliajt janë të akuzuar edhe 11 zyrtarë të tjerë.

Shkumbin Demaliaj ishte deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave në këtë rast duke e quajtur akuzën të pabazë.

Për deklaratën e tij se do ta “ndjekë privatisht” ish-prokurorin special, Elez Blakaj, ndaj kandidatit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj, është ngritur aktakuzë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kanosjes,

Aktakuzës ndaj Demaliajt i ka paraprirë gjuha që ish – deputeti ka përdorur ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj.

Demalijaj dyshohet se në një emision në RTK, kishte thënë se “Unë do ta ndjek privatisht me familjen time në qoftë se shteti i Kosovës nuk i bënë asgjë”, ndërsa më  25 shtator 2018, në një intervistë në televizionin T7, kishte thënë se “jo unë nuk i bie pishman asnjëherë fjalët që i kam thënë, nëse shteti nuk merret me Blakajn, atëherë unë personalisht do të merrem me të”.

Këto deklarata të Demalijajt, ishin bërë pasi prokurori Blakaj kishte dorëzuar aktakuzën e rastit “Veteranët” dhe kishte dhënë dorëheqje, për shkak se siç kishte thënë ai, për kërcënimet e presionet, gjatë kohës sa po hetonte këtë rast, si nga brenda sistemit prokurorial, ashtu edhe jashtë tij.

Demaliaj nuk është kandidati i vetëm nga lista e koalicionit AAK-PSD që është me aktakuzë dhe po përballet me ligjin.

Kallxo.com menjëherë kur u zyrtarizua lista e këtij koalicioni ka raportuar se edhe Ilir Baldedaj, kandidat nga rajoni i Prizrenit, në vitin 2018 është dënuar me burgim me kusht për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por edhe aktualisht po përballet me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Deputetët e Prizrenit i testojnë laptopët luksozë