Fatos Hoxha: Personi i kërkuar nga organet e rendit

Me 30 urdhërarreste aktive, i dyshuari për vjedhje ishte liruar në nëntor, po kërkohet sërish nga policia

Policia e Kosovës tash e disa javë po kërkon Fatos Hoxhën nën dyshimet se ka kryer disa vjedhje.

33 vjeçari, është i njohur për organet e rendit pasi që nuk është hera e parë që për të njëjtin kërkohet edhe ndihma e qytetarëve për të lokalizuar vendndodhjen e tij.

Në organet e rendit e të drejtësisë figurojnë 30 urdhërarreste aktive për të njëjtin. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një njoftim.

“Përveç rasteve që po hetohen nga ana e Policisë së Kosovës, ndaj të dyshuarit janë aktive rreth 30 urdhërarreste të lëshuara nga organet kompetente”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për më pak se tre muaj pasi ishte liruar nga paraburgimi, Fatos Hoxha po kërkohet sërish, ndërsa policia ka njoftuar se ai është i dyshuar për disa raste të vjedhjeve që kanë ndodhur ndërvite.

Arrestimi, paraburgimi, lirimi dhe kërkimi i Fatos Hoxhës

Fatos Hoxha fillimisht ishte arrestuar në gusht të vitit të kaluar. Ndaj të njëjtit ishte caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata në Prishtinë.

Për shkak të hetimit nga ana e Prokurorisë në Prishtinë, kjo e fundit kishte kërkuar që Hoxhës t’i vazhdohej afati i paraburgimit edhe për dy muaj.

Për më pak se dy muaj, Prokuroria në Prishtinë kishte kërkuar që masën e paraburgimit Fatos Hoxhës të ia zëvendësonte me masën e arrestit shtëpiak.

Kjo masë e arrestit shtëpiak konsiderohet si masë më e lehtë. Nëse do të shkelej kjo masë nga ana e të dyshuarit, ai do të kthehej sërish në paraburgim.

Kështu edhe veproi. Zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi, tha për KALLXO.com se i dyshuari Fatos Hoxha kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak dhe të njëjtit i ishte zëvendësuar sërish masa me paraburgim.

Kjo masë ishte vendosur deri më 2 nëntor 2021 kur edhe ishte liruar pasi që prokuroria kishte vlerësuar të mos kërkonte vazhdim të paraburgimit për të njëjtin.

“I njëjti është liruar sepse gjykata nuk ka pasur kërkesë për vazhdimin e paraburgimit nga ana e Prokurorisë Themelore”, thuhet në një përgjigje të zëdhënëses së Gjykatës së Prishtinës për KALLXO.com.

I liruari në nëntor të vitit të kaluar nga paraburgimi sërish po kërkohet nga organet e rendit. Sot ai po kërkohet për disa vjedhje dhe policia e rajonit të Prishtinës ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve për të lokalizuar vendndodhjen e tij.

Raste të tilla si ai i lirimit dhe urdhërarrest për 33 vjeçarin, Fatos Hoxha kanë ndodhur edhe më parë.

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e një personi, i dyshuar për shumë raste të vjedhjeve

KALLXO.com pati raportuar javë më parë edhe për disa persona të tjerë të cilët ishin të njohur për organet e rendit të cilët ishin liruar dhe sërish kërkoheshin për vepra të njëjta.

Leotrim Latifi është një tjetër recidivist i veprave penale të regjistruara në dosjet e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ai është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për plagosje, tentim vjedhje, vjedhje, sulm ndaj personave zyrtar në Prizren.

Për këtë rast janë arrestuar edhe disa persona të tjerë, disa për ndihmë e disa për përfshirje në rast.

Latifi ishte i njohur kryesisht për veprat penale të grabitjeve të armatosura. I njëjti një kohë ka qenë në kërkim nga organet e rendit e që më pas ishte arrestuar në shkurt të vitit 2019.

Tutje Latifi ishte ekstraduar në Kosovë nga autoritetet e Malit të Zi e që më pas i ishte caktuar edhe masa e paraburgimit.

Në shtator të vitit 2020, Gjykata kishte liruar nga paraburgimi Leutrim Latifin, Kastriot Shalën e Ridvan Ademin. Të tre këta dyshoheshin për grabitje të ndryshme.

Një muaj më pas, Gjykata e Apelit kishte kërkuar riarrestimin e të njëjtëve, të cilët më pas u vendosën në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Në këtë burg, mbahen personat me rrezikshmëri të lartë. Edhe Leutrim Latifi konsiderohej një person me rrezikshmëri të lartë.

Në fillim të vitit të kaluar ishte liruar Leutrim Latifi.  Ai më pas ishte arrestuar në nëntor për plagosjen që kishte ndodhur në Prizren, i cili sipas prokurorisë dyshohet se kishte tentuar të kryente një grabitje të armatosur brenda një argjendarie.