Foto: Kallxo.com

Mbyllet seanca për vizat italiane ndaj Ukë Rugovës shkaku i identitetit të dëshmitarit

Trupi gjykues ka vendosur që ta mbyllë për publikun seancën gjyqësore ndaj Ukë Rugovës dhe katër të akuzuarve tjerë të cilët po gjykohen për keqpërorime me vizat italiane.

Një dëshmitar kërkoi gjatë seancës së sotme që dëshmia e tij të dëgjohet pa praninë e publikut në mënyrë që atij të mos i zbulohet identiteti.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica, dhe anëtarët Nushe Kukaj Mekaj dhe Vesel Latifi, morën vendim me të cilën u përjashtua publiku me arsyetim për ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave të dëshmitarit.

Gjatë ditës së sotme ka vazhduar sot gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe 4 të akuzuarve të tjerë për vizat italiane.

Në këtë rast, përveç Ukë Rugovës, të akuzuar janë edhe Izet Beqiri, Florian Petani, Qefser Baholli dhe Astrit Haraqija, të cilët në seancën fillestare u deklaruan të pafajshëm.

Në seancën e sotme, dëshminë e dha Agron Arifi i cili tregoi se si erdhi deri te kontakti me njerëzit që ofronin viza Shëngen.

“Kam  qenë tu punu ne Prilep dhe kam dëgju se një person me emrin Ismet Loka nga Prilepi bën  viza me  çmim prej 4000 euro”, tha dëshmitari.

“Me të jam takuar në restorantin “Komprosor” në Gjakovë ku ia kam dhënë pasaportën me 500 euro, pastaj kur e ka kry vizën ia kam dhanë edhe 3500 euro dhe pas 9 dite më ka ardhë viza italiane shengen  ‘multi’ për 6 muaj por me shfrytëzim vetëm 30 ditë”, tha ai.

Pyetur nga prokurorja Shmolli, se “çfarë dokumetash ka kërkuar personi për rregullimin e vizës”, dëshmitari Arifi tha se atij personi i kishte dhënë pasaportën, certifikatën dhe fotografinë.

“Asgjë tjetër s’ka kërku për me ma rregullu vizën”, tha Arifi.

Ndërsa kur u pyet nga prokurorja se “kush e ka plotësuar aplikacionin për vizë”, dëshmitari Arifi deklaroi se “kur kam shkuar në Polici e kam kuptuar se dikush ka nënshkruar për mu”.

Pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha, “si ke dalë në shtete të perëndimit”, dëshmitari  u përgjigj se nga Aeroporti i Prishtinës kishte udhëtuar drejt Gjenevës.

“Aty më kanë verifiku shenjat e gishtave, me kanë pyet ku po shkon pse po shkon, në Zvicër kur kam shku për tre minuta kam kalu nga verifikimi në Aeroport”, tha Agron Arifi.

Ismet Lokaj, të cilin e përmendi dëshmitari gjatë seancës, nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjykatës.

Dëshmitarit Arifi nuk iu kujtua nëse Lokaj kishte dhënë ndonjë letër rekomanduese që ai ta marrë vizën italiane.

Pasi dëshmitari Arif Ademaj u ftua të rrëfehej nën betim, prokurorja speciale Florije Shamolli, deklaroi se ky dëshmitar do të dëgjohet për të akuzuarit e tjerë për të cilët është veçuar procedura.

Dëshmia e Ademajt do të dëgjohet do të dëgjohet bashkë me dëshmitë e Fatime Ademit, Shpëtim Batallajt e Luan Ahmetit.

Në seancën e sotme munguan dëshmitarët Abaz Sadiku, Abdullah Bajrami, Arben Ahmeti, Dionis Aliaj, Rasim Alija, Agron Arifi, Baki Asllani, Enver Asllani, Taibe Ganiu, Azem Azizi, Shpëtim Patalli, Ermal Bajram Betim, Remzije dhe Seul Bajrami.

Pesë të akuzuarit, përfshirë edhe Ukë Rugovën, të birin e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, akuzohen të jenë të përfshirë në sigurimin e rreth 500 vizave italiane Schengen, në mënyrë të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kanë përfshirë rreth 500 persona si familjarë të familjes Rugova, me qëllim të përfitimit të këtyre vizave.

Gjithashtu, prokurorja lexoi edhe ndryshimet që i janë bërë aktakuzës, në të cilën Ukë Rugova, Izet Beqiri dhe Qefser Baholli u akuzuan edhe për armëmbajtje pa leje.