Mbrojtja pa shkresa të lëndës, dështon seanca fillestare ndaj 5 të akuzuarve për krime lufte

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Millosh Sosiq, Nenad Stojanoviq dhe Sllobodan Jevtiq, të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘krime lufte kundër popullatës civile’.

Arsyeja pse ka dështuar të mbahet seanca fillestare është për shkak se nuk kishte kushte, pasi që mbrojtja nuk ishin pajisur me shkresa të lëndës.

Në momentin kur gjyqtari Rrahman Beqiri e pyeti prokurorin Atdhe Dema se a i ka dorëzuar provat të cilat i njëjti është i detyruar t’i dorëzojë sipas Kodit të Procedurës, prokurori Dema tha se duke qenë që akuza është dorëzuar më 27.12.2024 dhe shumica e stafit janë në pushime në momentin e dorëzimit nuk kanë mundur të dorëzohen të gjitha provat, por në fund të fundit në afat prej dy javësh ato prova janë bërë gati dhe sot mund të vijnë t’i tërheqin të gjithë avokatët mbrojtës.

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Dragan Cvetkoviq, avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet pasi e njëjta tha që nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

“Prokuroria ka qenë në obligim që në momentin e ngritjes së Aktakuzës, të gjitha provat t’i dorëzojë së bashku me Aktakuzën, neve si mbrojtës si dhe të akuzuarve dhe kjo nuk është bërë.” – tha mbrojtësja e të akuzuarit Dragan Cvetkoviq, avokatja Jovana Filipoviq.

“Unë më 03.01.2025 isha në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe i kam kërkuar të gjitha shkresat e lëndës dhe më është thënë se ende të gjitha ato shkresat nuk ishin të përkthyera, ashtu që unë për klientin tim deklaroj se konsiderojmë që kjo seancë e sotme nuk mund të mbahet, sepse nuk mund të bëjmë këso praktika të këqija që aktakuza të ngritet pa dorëzimin e shkresave të lëndës.” – shtoi tutje avokatja Jovana Filipoviq.

Gjyqtari Rrahman Beqiri mori Aktvendim që seanca e sotme të ndërpritet dhe e njëjta të shtyhet në afat të caktuar, meqenëse nuk ka kushte për të vazhduar, pasi që mbrojtja nuk i ka pranuar shkresat.

Shqyrtimi fillestar pritet të mbahet më 15.01.2025.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me gjyqtar Rrahman Beqiri.

Ndërsa, aktakuza po përfaqësohet nga prokurori special Atdhe Dema.

Dosja e Prokurorisë

Sipas Dosjes së Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Millosh Sosiq, Nenad Stojanoviq dhe Sllobodan Jevtiq, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të Policisë apo Ushtrisë serbe, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.

Sipas Aktakuzës thuhet se në mes të fshatrave Inatoc (Kokaj) dhe Llovcë te vendi i quajtur “Kisha e epërme”, fillimisht i kishin ndaluar viktimat Rr. I. dhe Xh. Z., kishin filluar që ta maltretonin viktimën Rr. I., duke e goditur pandërprerë në pjesë të ndryshme të trupit. Në po të njëjtin moment, derisa viktima Xh. Z. ishte duke ecur në drejtim të Rr. I., njëri nga pjesëtarët e këtij grupi, me armë kishte shtënë në drejtim të saj dhe e kishte goditur në stomak dhe si pasojë ishte rrëzuar dhe kishte mbetur e vrarë në vend.

Tutje, sipas Aktakuzës, thuhet se pas këtij veprimi Rr. I. kishin vazhduar ta godisnin me thika në pjesë të ndryshme të trupit dhe pasi i njëjti kishte rënë në tokë, kishin vazhduar që ta godisnin me pjesën e pasme të armës automatike dhe me bajoneta të armëve, për të vazhduar tutje ashtu që në një grumbull të dushkut të ndezur, i kishin vendosur viktimat Xh. Z. dhe Rr. I., i cili në ato momente ishte ende gjallë dhe i kishin djegur trupat e tyre – ngjarje kjo e parë nga dëshmitari okular, Rifat Rexhepi.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, në drejtim të fshatit Llovcë në vendin e quajtur “Lugu i Elbishtës” i kishin ndaluar fillimisht viktimat R. D., S. Xh, Xh.H., A. R., të dëmtuarin Nazmi Hajdinin dhe Naser Halitin dhe nën kërcënimin e armëve i kishin detyruar që të shtriheshin në tokë, i kishin kontrolluar, e më pas e kishin liruar Naser Halitin dhe pastaj kishin shtënë me armë në drejtim të viktimave. Si pasojë e këtij veprimi kishin mbetur të vrarë R. D., S. Xh., Xh. H. dhe A. R.

Sipas Aktakuzës, Nazmi Hajdinin fillimisht e kishin urdhëruar që t’i grumbullonte trupat e viktimave dhe t’i vendoste mbi një grumbull të drunjve, pastaj e kishin urdhëruar që të shtrihej edhe vetë i dëmtuari mbi viktimat dhe posa ishte shtrirë, kishin gjuajtur me automatik mbi të dëmtuarin Nazmi Hajdinin, i cili i kishte marrë dy plagë: njërën në qafë dhe tjetrën në shpatullën e majtë. Mirëpo, iu kishte mbijetuar plagëve të marra.

Tutje, në Aktakuzë, thuhet që pas një kohe i ishte kthyer vetëdija. Këta pjesëtarë të këtij grupi kriminal nuk ishin aty. Ashtu i lënduar arrin që të shkojë deri në fshatin më të afërt dhe më pas i ishte ofruar ndihma e parë mjekësore – ngjarje kjo e parë nga dëshmitarët okular, Behxhet Mehmeti e Menderes Ramushi.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, rreth orës 15:00 përderisa popullata civile ishte duke u larguar me traktorë nga fshati Llovcë në drejtim të fshatit Pogragjë, nga shkolla e fshatit Llovcë, pjesëtarë të këtij grupi kriminal kishin filluar që të gjuanin në drejtim të popullatës civile dhe si pasojë ishte plagosur viktima N. A. në shpinë dhe po ashtu ishte plagosur edhe M. A., po ashtu në shpinë, e moshës rreth dy vjeçare, të cilën e kishte pasur në dorë viktima N. A., e si pasojë e plagëve të marra N.A. kishte ndërruar jetë.

Gjithnjë, sipas Dosjes së Prokurorisë, pjesëtarë të këtij grupi kriminal të cilët ishin duke lëvizur me traktor me rimorkio në drejtim të Gjilanit, në dalje të fshatit Pogragjë, derisa viktima N. R. ishte duke i ruajtur bagëtinë, të njëjtit pa e ndaluar traktorin gjuajnë në drejtim të N. R. me armë automatike. I njëjti kishte mbetur i plagosur dhe si pasojë e plagëve të marra të njëjtën ditë në mbrëmje kishte ndërruar jetë.

Sipas Aktakuzës në hyrje të fshatit Llovcë derisa po ktheheshin në shtëpi me traktor, të dëmtuarit B. M., F. H. dhe M. R., pjesëtarë të këtij grupi i kishin marrë peng të dëmtuarit në fjalë dhe ishin nisur në drejtim të shtatit Pogragjë dhe në ndërkohë e kishin liruar Fetije Hazirin dhe duke shkuar në drejtim të Gjilanit, te vendi i quajtur “Goveni” në dalje të Pogragjës, kishin ndaluar dhe i kishin zbritur nga rimorkio e traktorit Behxhetin e Menderesin.

Në Aktakuzë thuhet se ua kishin lidhur duart mbrapa me lidhëse të duajve dhe iu kishin thënë se po ju “ekzekutojmë sepse nuk na duheni më”. Tre herë kishin gjuajtur me breshëri mbrapa shpinës së tyre, nga ku ishte dëgjuar komanda “Pucaj”, po nuk i kishin vrarë.

Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Të akuzuarit Millosh Sosiq e Nenad Stojanoviq, po ashtu, po akuzohen edhe për veprën penale: “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur e të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë”. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci”.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.