Mbrohet në heshtje i dyshuari për vrasjen e të birit, Albert Krasniqi

Mbrojtja e S. K., që dyshohet se vrau të birin në pasditen e 27 janarit, avokati Ramiz Krasniqi, tha se i mbrojturi i tij është mbrojtur në heshtje.

“I mbrojturi im S. K., është mbrojtur në heshtje dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, tha avokati Krasniqi për KALLXO.COM.

S. K., i dyshuar për vrasjen e djalit të tij Albert Krasniqi, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Prishtinës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S. K. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa  autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Të pandehurit S.K. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kriteret  në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri S. K. mund t`i asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, të cilët janë familjarë të të pandehurit, po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri ekziston rreziku se do të pengohet rrjedha e procedurës penale”, bën të ditur Gjykata.

“I pandehuri S.K. dyshohet se me datë 27.01.2021 rreth orës17.00, në parkingun e ndërtesës ku edhe ka banuar, nga motive ende të panjohura deri më tani ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin A. K. dhe si pasojë e plagëve të marra i ndjeri A.K  ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, përfundon njoftimi.

KALLXO.com raportoi të mërkurën për vrasjen e Albert Krasniqit, ku i dyshuar është babai i tij S. K.

VIDEO – Vendi ku ndodhi vrasja në Prishtinë