Mbrohet në heshtje i akuzuari për tri vrasje të vitit 2004

Në gjykatën e Ferizajt ka vazhduar gjykimi ndaj Heset Salihajt i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për tri vrasje.

Sot nga ana e trupit gjykues të udhëhequr nga kryetari Ibrahim Idrizi u administruan provat materiale, dhe ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Salihaj.

Prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu propozoi që si provë të lexohet deklarata e Kadife Salihajt, nëna e të akuzuarit Heset Salihaj.

“Kemi një deklaratë të zonjës Kadife Salihaj e për të cilën shkaku i moshës dhe duke mos qenë në dijeni se e njëjta a është apo jo gjallë i propozoj gjykatës që ta lexojë këtë deklaratë dhe ta marrë si provë deklarata është e datës 27.10.2004”, u shpreh prokurorja Fejzullahu.

Këtë propozim gjykata e refuzoi me arsyetim se deklarata është e shkruar me laps dore dhe nuk përmban elemente qenësore të një deklarate të dëshmitarit siç e kërkon ligji.

E ndërsa sot ishte paraparë që i akuzuari Salihaj të jepte mbrojtjen e tij, ai tha se pasi që është konsultuar me avokatin e tij Arianit Koci ka vendosur të mbrohet në heshtje

Seanca e radhës në të cilën do të jepet fjala përfundimtare u caktua me date 23 mars,

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Heset Salihaj në bashkëkryerje me persona të panjohur, i shtyrë nga motivet nacionale, me dashje i ka privuar nga jeta Borko dhe Dobrivoje Stoliqin, në orët e vona të pasdites së 17 marsit të vitit 2004 derisa tani të ndjerit gjendeshin para shtëpisë së tyre, në fshatin Drajkovc.

Dy policë dëshmojnë në gjykimin e të akuzuarit për 3 vrasje më 2004

Aktakuza thotë se Salihaj ka shtënë bashkë me persona të tjerë të panjohur në drejtim të viktimave me armën e tij AK-47.

Nga katër plagët e marra në pjesë vitale të trupit Dobrivoje Stoliq ka mbetur i vdekur në vend.

Ndërsa Borko Stoliq nga dy lëndimet e marra- një në abdomen dhe një në kofshë të djathtë- kishte vdekur rrugës për në spital.

Sipas aktakuzës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës: Dragan Ivanoviq, Srgjan Mladenoviq, Zhivorad Samarxhiq dhe Srgjan Gjurinca kishimn shkuar menjëherë në vend të ngjarjes.

Sipas aktakuzës, i pandehuri bashkë me të tjerët duke ikur nga vendi i ngjarjes kishte shtënë disa herë në drejtim të tyre por nuk janë qëlluar dhe duke hapur zjarr në drejtim të tyre kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes.

Me këtë sipas Prokurorisë Salihaj ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Tutje aktakuza e Prokurorisë thekson se për motive të panjohura dhe me dashje i akuzuari Heset Salihaj e ka vrarë edhe Nezir Sherifin, më 21.10.2004, rreth orës 1:30, në rrugën “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj derisa i ndjeri ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij.

I akuzuari, sipas aktakuzës, me armë ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, i cili nga lëndimet e marra kishte në vendin e ngjarjes. I pandehuri kishte ikur nga vendi i ngjarjes, mirëpo në vend të ngjarjes i kishte mbetur kuleta me dokumente personale.