Foto: Kallxo.com

Mbrohet në heshtje i akuzuari për përvetësimin e mbi 273 mijë eurove

Srboljub Dimitrijeviq, i akuzuar se në cilësinë e kontabilist të firmës “Auto Moto Drustvo” dhe “Auto Moto Remont” ka përvetësuar mbi 273 mijë euro, është mbrojtur në heshtje në seancën gjyqësore të mbajtur sot në gjykatën e Mitrovicës

Pasi që ka përfunduar procedura e administrimit të provave, me rastin e marrjes në pyetje të të akuzuarit Dimitrijeviq, ky i fundit ka deklaruar se nuk do të deklarohet, duke e shfrytëzuar kështu të drejtën që të mbrohet në heshtje.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kapllan Baruti, ka kërkuar nga gjykata që kjo seancë të shtyhet, në mënyrë që të përgatitet për dhënien e fjalës përfundimtare në këtë rast.

Trupi gjykues me kryetar Beqir Halili dhe anëtar Sabit Rama e Florije Syla kanë aprovuar kërkesën e avokatit, dhe kanë njoftuar palët se seanca e radhës do të mbahet me 9 mars ashtu siç ishte caktuar paraprakisht.

Sipas aktakuzës, Dimitrijeviq nga janari 2005 deri në dhjetor 2015 në cilësinë e shefit të kontabilitetit në firmat “Auto Moto Drustvo“ dhe “Auto Moto Remont“ në Mitrovicë, e cila është regjistruar së pari në UNMIK, e pastaj është regjistruar edhe te Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve  e Kosovës si “Auto Moto Drustvo“ Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Dimitrijeviq duke mos regjistruar të hollat në evidencat e kontabilitetit, kthimin e akontacioneve (paradhënie të punëtorëve), duke tërhequr para ‘cash” nga banka dhe të njëjtat nuk janë regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit paratë e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, ka përvetësuar të holla në shumë prej 273,107.39 euro.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale përvetësimi në detyrë.

Përvetësimi i 273 mijë eurove, dëshmitari: I akuzuari tërhoqi para dhe nuk i regjistroi