Foto: KALLXO.com

Mbindërtimet në Prizren, inspektori thotë se nuk ka qenë në dijeni se objekti ka pasur tejkalim të lejes

I akuzuar se si inspektor i ndërtimit nuk kishte ndërmarrë veprime kundër ndërtimeve pa leje nga një investitor, me ç’rast ka dëmtuar zonën e ndërtimit në “Qylhan” të Prizrenit, Nexhmedin Musliu deklaroi sot në Gjykatë se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim pasi nuk ka qenë në dijeni se bëhet fjalë për tejkalim të lejes.

Musliu ka arsyetuar se inspektori paraprak ka pasur obligim ta lajmërojë për veprimet që duhet të merren. Sipas tij, në qoftë se inspektori nuk e ka njoftuar, veprimet është dashur të merren nga koordinatori apo drejtori.

I akuzuari më tej ka sqaruar se nga matjet në terren rreth objektit në fjalë ka rezultuar se dimensionet nuk janë përputhur me lejen ndërtimore.

Sipas tij, inspektimet janë bërë pas përfundimit të objektit, kur ishte vendosur pllaka e fundit e katit të tretë.

Nexhmedin Musliu ka bërë të ditur se ish-inspektori i ndërtimit, Veron Alija, ka sugjeruar që investitori të pajiset me leje shtesë dhe jo me aktvendim për rrënim vullnetar apo rrënim me dhunë.

“Procedura për leje shtesë shkon përmes Drejtorisë së Urbanizmit. Kjo procedurë iniciohet në mënyrë që investitori bën kërkesë në Urbanizëm për t’u pajisur me leje shtesë dhe Drejtoria Urbanizmit ia përcjellë Ministrisë” – deklaroi Nexhmedin Musliu.

Seanca e radhës u caktua për më 17 mars 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, nga data 21 nëntor 2016 e në vazhdim, në Prizren, si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Musliu duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, për të cilën vepër penale parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Lidhur me akuzën në fjalë, ish-inspektori ishte deklaruar i pafajshëm.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.