Mbindërtimet në Prizren, dështon për të tetën herë seanca ndaj ish inspektorit Nexhmedin Musliu
Në mungesë të përfaqësuesit të Komunës ka dështuar që të mbahet seanca ndaj ish inspektorit Nexhmedin Musliu.
Nga kryetarja e trupit gjykues u bë e ditur se Komuna është në procedurën e zgjedhjes së përfaqësuesit të saj, andaj në mungesë të kushteve ligjore gjykimi u shty për datën 20 janar 2022.
Rrjedha e këtij gjykimi është përcjellë me shtyrjen e vazhdueshme të seancave. Siç mëson Kallxo.com, deri më tani për arsye të ndryshme kanë dështuar që të mbahen 8 seanca gjyqësore lidhur me këtë rast.
Kështu, gjatë vitit 2020 në mungesë të të akuzuarit e në mungesë të dëshmitarit kanë dështuar të mbahen seancat e datës 27 janar, 16 korrik, 18 shtator dhe 27 tetor 2020. Më pas, gjatë vitit 2021, seancat e datës 26 janar, 3 mars, 6 prill dhe 23 shtator 2021 ishin shtyrë për mungesën e të akuzuarit, përfaqësuesit të komunës dhe anëtarit të trupit gjykues.
Musliu, akuzohet se nuk e ka inspektuar dhe nuk ka ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit pa leje nga një investitor, i cili duke ndërtuar objektin ka tejkaluar lejen për një etazhitet.
Lidhur me akuzën në fjalë, ish inspektori ishte deklaruar i pafajshëm.
Në shqyrtimin fillestar me datë 18 tetor 2019, ai kishte deklaruar se aktakuza ishte e pakuptimtë dhe në mënyrë të pa drejtë po akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit zyrtar.
Tutje, përmes mbrojtësve të tij Gent dhe Blend Gjini ka kërkuar hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Mirëpo, Gjykata e Prizrenit, ka refuzuar kërkesën e tillë si të pabazuar.
Gjykimi kishte pasuar edhe me dëgjimin e ekspertëve, dëshmitarëve ku në mesin e dëshmitarëve ishte dëgjuar dhe investitori Mehmet Palushi.
Me datë 7 dhjetor 2020, Mehmet Palushi kishte theksuar se ai kishte pasur planin për ndërtimin e tri kateve, mirëpo meqë afër objektit nuk kishin ndërtime të tjera ka vazhduar ndërtimin edhe të një kati.
Në dëshminë e tij, Palushi kishte deklaruar se nga ana e inspektorëve i është dhënë një procesverbal i hartuar nga inspektorët dhe i është tërhequr vërejta në mënyrë verbale për mos vazhdimin e punimeve lidhur me objektin të cilin e ka poseduar.
Sipas aktakuzës të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Prokurorisë nga data 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.
Sipas aktakuzës, Musliu duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, për të cilën vepër penale parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.