Çekani i drejtesise - Ilustrim

Mbetet në paraburgim i dyshuari për krime lufte në Lipjan

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatit të të dyshuarit Goran Stanishiq, kundër vendimit për caktim të masës së paraburgimit.

Gjykata e Prishtinës më 22 korrik 2019, të dyshuarit për krime lufte i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Goran Stanishiq po dyshohet nga ana e Prokurorisë  Speciale se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Në aktvendimin e saj, Gjykata e Apelit, gjeti se aktvendimi për caktimin e paraburgimit, ndaj të pandehurit është i drejtë dhe i ligjshëm, ngase ekziston dyshimi i bazuar, se ai e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Në po këtë vendim të Gjykatës thuhet se ekzistojnë arsye për të besuar se po që se i pandehuri qëndron në liri mund të ikë ose arratiset, më qëllim të shmangies se procedurës penale, të ndikojë në prova ose dëshmitarë ose të kryej ndonjë vepër penale të re.

Sipas Prokurorisë Speciale ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri gjatë periudhës kohore 15 dhe 16 prill 1999, në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policore të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve përreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna. Sipas Prokurorisë të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë.

Arrestohet një i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës shqiptare në Lipjan gjatë vitit 1999