Mbahet shqyrtimi fillestar ndaj dy të akuzuarve për falsifikim të dokumentit zyrtar
Është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj dy të akuzuarve, Ilmi Morina dhe Ajshe Gusinac, të cilët po akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘falsifikim i dokumentit zyrtar’.
Sot më 07.08.2024 në seancën e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve për falsifikim të dokumentit zyrtar pas njoftimit të akuzuarve me të drejtat e tyre nga ana e gjyqtares Fatime Dërmaku, është lexuar aktakuza nga prokurori Arianit Salihu.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, gjyqtarja Dërmaku ja dha mundësinë të akuzuarve të deklarohen lidhur me veprën penale të cilën ata po akuzohen nga prokuroria.
“I pafajshëm” – deklaroi i akuzuari Ilmi Morina.
“E pafajshme”- deklaroi e akuzuara Ajshe Gusinac.
Pasi të pandehurit nuk e pranuan fajësinë për veprën penale të cilën po akuzohen, gjyqtarja i njoftoi të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtimin ndaj provave të cekura në aktakuzë dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas aktakuzës i pandehuri Ilmi Morina në cilësinë e zyrtarit të Qendrës për pajisje me dokumente në Obiliq, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në dokumentin zyrtar, në kundërshtim me ligjin shënon të dhëna të rreme dhe e lejon të dyshuarin Flamur Azemi që të aplikoj me identitet të rreme në emër të Albert Gashi dhe pse e din se i njëjti nuk është ky person.
Sipas dosjes së prokurorisë fillimisht me datë 14.04.2014 e lejon të aplikoj, të fotografohet dhe t’i japë gjurmët e gishtërinjve duke ja skanuar gishtat e mesëm të dy duarve e më pas me datë 16.05.2022 kur ky i dyshuar ka aplikuar prapë për vazhdimin e validitetit të letërnjoftimit të skaduar, i pandehuri Ilmi Morina nga pozita e zyrtarit për patentë shoferë ka dalë dhe e ka fotografuar dhe i ka marrë gjurmët e gishtave përsëri të gishtave të mesëm të Flamur Azemit duke përdorur të njëjtën metodë si në vitin 2014 dhe në këtë mënyrë ia ka mundësuar Flamur Azemit marrjen në mënyrë të kundërligjshme të dokumenteve të Republikës së Kosovës.
Ndërsa e pandehura Ajshe Gusinac sipas aktakuzës në cilësinë e zyrtares për regjistrim civil të qendrës për pajisje me dokumente në Obiliq, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në dokumentin zyrtar, në kundërshtim me ligjin shënon të dhëna të rreme dhe e lejon të dyshuarin Flamur Azemi që të aplikoj me identitet të rremë në emër të Ardian Rexha edhe pse e din se i njëjti nuk është ky person.
Tutje sipas aktakuzës me datë 28.04.2016 e lejon të aplikoj, të fotografohet dhe t’i japë gjurmët e gishtërinjve duke ja skanuar gishtat e unazës të dy duarve, duke i mundësuar Flamur Azemit marrjen në mënyrë të kundërligjshme të dokumenteve të Republikës së Kosovës me identitet të rrejshëm në emër të Ardian Rexhës.
Sipas Prokurorisë me këtë i pandehuri Ilmi Morina dhe e pandehura Ajshe Gusinac kanë kryer veprën penale Falsifikim i dokumentit zyrtare.