Objekti, FOTO KALLXO

Mbahet me dyer të mbyllura seanca për hotelin e ndërtuar pa leje në parkun kombëtar

Gjykata e Pejës ka vendosur që ta mbajë të mbyllur për publikun procesin gjyqësor ndaj Mahir Shalës, nga kompania ndërtuese “Intern Investment Group”, i cili akuzohet se ka ndërtuar objekt hotelier në zonën e mbrojtur të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” pa pasur leje për të ndërtuar.

Gjykatësi i çështjes, Murat Hulaj, mbylljen e seancës për publikun e arsyetoi me rrethanat që lidhen me pandeminë COVID-19.

“Nuk kemi kushte për lejimin e monitorimit të seancës gjyqësore”, tha Hulaj.

Sipas aktakuzës, objekti i kategorisë së lartë, i ndërtuar në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ku janë investuar shuma të mëdha parash, pas përfundimit të ndërtimit rezulton të jetë pa leje ndërtimi.

Prokuroria e Pejës në aktakuze nuk ka propozuar rrënimin e objektit pa leje.

Punimet në këtë objekt kanë vazhduar përkundër aktakuzës së Prokurorisë.

Javën e kaluar është hapur edhe një rast tjetër penal nga Prokuroria ku edhe janë vendosur shiritat për ndalimin e punimeve.