'Maskat' në aksion, grabitje brenda natës në Viti e Gjilan

Qyteti i Gjilanit dhe ai i Vitisë kanë qenë cak i hajnave mëngjesin e ditës së djeshme.

Të maskuar e të armatosur tre persona të cilët ende nuk janë identifikuar ia kishin mësyrë qendrave tregtare.

Ata kanë kryer një grabitje në Viti ku kanë grabitur një shumë parash dhe cigare, ndërsa grabitja në Gjilan u ka mbetur në tentativë.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.

I njëjti ka shtuar se grabitja në Viti e Gjilan është kryer brenda disa orëve.

“Fillimisht tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë shkuar në një qendër tregtare në Viti. Punëtori i sigurimit i cili ka qenë duke e ruajtur qendrën me anë të një llampe të vogël i ka vërejtur por nuk u ka hapur derën e hyrjes në oborr. Të dyshuarit nuk kanë përfillur urdhrat e punëtorit të sigurimit dhe kanë hyrë brenda ndërtesë së qendrës tregtare ku nga aty kanë grabitur cigare dhe para. Ende nuk kemi shumë të caktuar të parave të grabitura”, tha Kadriu për KALLXO.com.

Prokurori Kadriu dha detaje edhe për tentim grabitjen në Gjilan.

“Në rastin e dytë në Gjilan, më saktësisht në qendrën tregtare të INTEREX përballë universitetit në Gjilan, kanë tentuar të futen brenda por kjo grabitje ka mbetur vetëm si tentativë pasi nuk kanë vjedhur asgjë”, tha Kadriu.

Në anën tjetër në raportin policor të ditës së sotme, Policia e Kosovës ka treguar vetëm se një ankues ka raportuar se tre të dyshuar të maskuar kanë kryer grabitje në një qendër tregtare e më pas me një veturë janë larguar në drejtim të panjohur.

“Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raportin policor.

“Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka njoftuar se katër të dyshuar, të maskuar kanë vjedhur një sasi të cigareve në një qendër tregtare e më pas me një veturë janë larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raportin e policisë për grabitjen në Viti.