Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Mashtrimi me viza, dëshmitari: ‘Vëllai i të akuzuarit m’i ktheu 1 mijë euro, e 50 kërkoi që t’ia falja’

Në gjykimin e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës M.Z. dhe dy të akuzuarve të tjerë, I.K. dhe E.K.  për veprat penale – mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim i parave, janë dëgjuar edhe 3 dëshmitarë.

Sot u dëgjua dëshmitari A.H., i cili rrëfeu se si kishte shitur veturën për të paguar lejen e punës për Gjermani në agjencinë e punësimit “I.K.”, si kishte paguar të hollat dhe pasi që vizën nuk e mori asnjëherë paratë ia kishte kthyer vëllai i tani të akuzuarit I.K. vetëm pasi dëshmitari e kishte paraqitur rastin në Polici.

Dëshmitari A.H. deklaroi se ka dhënë deklaratë në Polici, por pasi ka kaluar kohë e gjatë dhe meqë është me diabet, nuk i kujtohej se çfarë kishte deklaruar.

Ai tregoi se për lejen e punës për Gjermani kishte aplikuar te agjencia për punësim “I.K.”.

“Kam aplikuar për leje pune për Gjermani  në agjensionin e I.K., kushtet ekonomike më kanë shtyrë me apliku për këtë leje se edhe më parë kam punuar në Gjermani”, tha ai në Gjykatën e Prishtinës.

Ai tregoi se me tani të akuzuarin I.K. ishte takuar në një kafene dhe si i njëjti i kishte thënë se nuk do të ketë problem për rregullimin e dokumenteve.

‘’Jam takuar me I.K. në një kafiteri afër Hotel Grandit, dhe më ka thanë se nuk është problem,  kemi mi rregullu të gjitha dhe më tregoi se ku duhet me apliku. Pastaj unë kam shkuar në agjensi,  kam marrë fletë-aplikacionin e kam plotësuar dhe kam paguar 1.050 euro ‘cash’’’, shtoi ai.

Po ashtu dëshmitari tregoi se si pasi kishte paguar të hollat nuk kishte rënë në kontakt me tani të akuzuarin I.K.

Dëshmitari deklaroi se ‘’më nuk kam komunikuar deri sa e kam parë në media, kam komuniku me vëllain e I.K. dhe i kam thënë të mi kthejë paratë se kam shitur veturën. Vëllai i I.K. m’i ka kthyer 1 mijë euro ndërsa 50 euro ka kërku nga unë që t’ia fal dhe ia kam falë”.

Gjithashtu dëshmitari tregoi se paratë i ishin dhënë vetëm pasi kishte lajmëruar rastin në Polici.

‘’Paratë m’i ka dhënë pasi që e kam lajmëruar rastin në Polici’’, tha dëshmitari A.H.

Dëshmitari: E shita lopën për t’i bërë paratë për lejen e punës në Gjermani

Në këtë çështje penale priten të dëgjohen rreth 900 dëshmitarë, të cilët kanë aplikuar për leje të punës në Gjermani, por prokurori i rastit  A.D. propozoi që të dëmtuarit-dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në Polici dhe Prokurori vetëm të lexohen deklaratat e tyre ndërsa mbeti pranë propozimit që 800 dëshmitarët e tjerë të ftohen dhe të dëgjohen në Gjykatë.

Seancat e radhës janë caktuar  për më 19 dhe 20 shkurt 2020.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M.Z. dhe I.K.  që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, më 2 qershor 2016 themelojnë biznesin si agjenci punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga Prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, M.Z., E.K. dhe I.K. ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.