Malishevë, mjeku popullor akuzohet për mashtrim e shmangie nga tatimi

Një mjek popullor nga Malisheva me inicialet B.Z pritet të ulet në bankën e të akuzuarit në Gjakovë.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për disa vepra penale, përfshirë veprimtarisë së ndaluar mjekësore dhe shmangies së tatimit.

Sipas dosjes së prokurorisë, B.Z.  duke u thirrur si “mjek popullor me bio-energji” që nga viti 2010, ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore dhe të ardhurat e fituara nuk i ka deklaruar në ATK.

“I pandehuri B.Z., nga viti 2010 e deri më 16 korrik 2019, në Malishevë, saktësisht në shtëpinë e tij, pa autorizim ligjor, ka kryer aktivitete mjekësore, duke u thirrur si “Mjek popullor me bio energji”, ka trajtuar qytetarë me sëmundje të ndryshme dhe probleme familjare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzë , mjeku popullor , ka realizuar të ardhura në vlerë prej 30 mijë e 216 mijë euro, me ç‘rast buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 2 mijë e 395 euro.

Poashtu, ai  dyshohet se ka mashtruar të dëmtuarën Sh.G.

“I pandehuri  e mashtron personin tjetër, të dëmtuarën Sh.G., ku pasi e njëjta kishte probleme familjare, i pandehuri e bind se kinse do ta shërojë ku fillimisht  ia përgatit disa hajmali e më vonë edhe të tjera, ku të dëmtuarës i shkakton kështu dëm në vlerë prej 6000 euro”,thuhet në njoftim.

Ndërsa e dyshuara e dytë F.Z., sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale të shantazhit, ndaj të dëmtuarës Sh.G.

“E pandehura F.Z., në verën e vitit 2018 në Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e kanos të dëmtuarën Sh. G., se do të zbuloj disa mesazhe të motrës së saj, nëse  nuk ia dërgon shumën e parave të cilat ajo dëshiron, kështu duke i kërkuar të dëmtuarës 30.000 euro. Pasi e dëmtuara nuk ia dërgon të hollat e kërkuara, të njëjtat mesazhe ia përcjelle burrit të motrës, kinse në lidhje me moralin e gruas së tij”- vazhdon njoftimi i Prokurorisë.

Prokurori  rastit i ka propozuar Gjykatës së Gjakovës, që të pandehurit B.Z., dhe të pandehurës F.Z., ti dënoj sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.