Llojet e ndihmës juridike falas

Personave të cilëve iu shkelet një e drejtë në procedurën gjyqësore dhe nuk kanë mundësi fiananciare t’i drejtohen një juristi mund të përfitojnë ndihmë juridike falas nga shteti. 

Agjencia për Ndihmë Juridike Falas iu mundëson të përfitoni nga ndihma juridike falas duke iu ndihmuar në dhënien e informatave, këshillave juridike, përpilimin e parashtresave, padive, ankesave, përfaqësim para gjykatave dhe organeve të tjera.

Përfitues të kësaj ndihme mund të jenë personat e prekur nga gjendja e keqeekonomike-sociale si dhe viktimat e dhunës seksuale.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Statistikat nga databaza e të dhënave të hapura tregojnë se në vitet 2015-2020 Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka trajtuar qindra raste në vendin tonë.

Prej rreth 16 mijë lëndëve në punë, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas vetëm në vitin 2015 ka dhënë mbi 1 mijë këshilla juridike, 802 ankesa ndërsa janë ushtruar 310 padi. 

Në po këtë vit po ashtu janë përpiluar edhe 246 parashtresa kurse 68 raste janë referuar në Odën e Avokatëve të Kosovës. 

Në vitin 2016, ANJF ka ofruar 2 mijë e 449 ndihma juridike duke realizuar 738 ankesa. Të dhënat për vitin 2016 më tej sqarojnë se për 257 raste janë perpiluar padi, 267 parashtresa kurse 2 raste kanë përfunduar për trajtim në institucionet e tjera dhe 93 raste me përfaqësim të avokatëve.

Në vitet 2017 dhe 2018, sipas databazës nga 4 mijë e 925 raste të paraqitura në ANJF, 1 mijë 646 lëndë kanë përfunduar me ankesë. Për katër raste janë përpiluar kallëzime penale kurse 165 personave i’u është mundësuar përfaqësimi nga ana e avokatëve. 

Në po këto vite, ANJF për 983 lëndë ka dhënë këshilla juridike, kurse për 477 raste janë formuar padi në gjykatat e Kosovës.

Në vitet 2019-2020, ANJF ka trajtuar mbi 5 mijë lëndë. Kështu sipas të dhënave të publikuara nga MKF gjatë kësaj periudhe janë formuar 1 mijë 621 ankesa, 86 prapësime dhe janë dhënë 1 mijë e 426 këshilla juridike.

Tutje të dhënat tregojnë se për dy vitet e fundit në ANJF, 100 raste janë referuar për në Odën e Avokatëve, 5 lëndë janë trajtuar nga ana e zyrës për ndërmjetësim. Për 154 raste janë formuar prapësime ndërkaq një rast i vetëm është refuzuar të trajtohet.

Çka quhet ndihmë juridike falas?

Sipas Ligjit për ndihmë juridike në Kosovë, ndihma juridike falas është e drejta në shërbime profesionale juridike për qytetarët të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.

Ndihma juridike ofrohet në procedurën civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse.

Llojet e ndihmës juridike falas

Ndihma juridike falas jepet në formë të informatave dhe këshillave juridike lidhur me procedurat ligjore, përpilimin e shkresave dhe tërë asistencën tjetër teknike që ka të bëjë me kompletimin e lëndës dhe përfaqësimin në procedurën civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse.

Si mund të aplikoni për ndihmë juridike falas?

Procedura për realizimin e ndihmës juridike falas iniciohet me paraqitjen e kërkesës së bashku me dokumentet e kërkuara në zyrën më të afërt për ndihmë juridike falas.

Vendimi

Pas aplikimit zyrtarët e agjencisë brenda 5 ditëve vlerësojnë se a janë përmbushur kriteret për të përfituar shërbimet juridike falas.

Kriteret për dhënien e ndihmës juridike falas

Ndihma juridike falas i ofrohet të gjithë personave të cilët e plotësojnë kriterin kualifikues, kriterin financiar dhe kriterin juridik.

Nga ky shërbim mund të përfitojnë të gjithë ata shtetas të cilët: nuk kanë të ardhura apo jetojnë nga ndihma sociale, janë pensionist dhe i realizojnë të hyrat mujore me të vogla se të ardhurat mesatare në vend.

Pavarësisht nga kriteret e kërkuara në ligj, ndihma juridike falas i ofrohet edhe: personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, viktimave të dhunës në familje, viktimave dëshmitare të dhunës, viktimave të dhunës në baza gjinore, viktimave të cilitdo lloj të dhunës seksuale përfshirë dhe ngacmimin seksual, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, viktimave të mitur, fëmijëve qe jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore, fëmijëve nën kujdestari që kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestari, personave të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim dhe gazetarëve, gazetarëve të pavarur, fotoreporterëve, kameramanëve dhe redaktorëve që punojnë në/për media të licencuara nga KPM dhe KMSHK.

Përjashtimisht në rastin urgjent, ndihma juridike falas e menjëhershme ofrohet për të gjithë personat e arrestuar apo të ndaluar, në polici, pavarësisht përmbushjes së kritereve të cilat kërkohen me këtë ligj.sherbimet 

Ofruesit e ndihmës juridike falas janë:

Zyrat rajonale, zyrat mobile për ndihmë juridike falas,  avokatët,  organizatat jo-qeveritare në rastet kur hyjnë në partneritet me agjencinë.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.