Lirohet nga akuzat e vitit 2014 ish-zyrtari i Komunës së Drenasit

Xhemë Binaku është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare të cilën Prokuroria i vinte në barrë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konstatuar se nuk është provuar që Binaku ka kryer veprën penale për të cilën ai akuzohej.

Trupi gjykues me kryetaren Suzana Çerkini dhe anëtaret e trupit gjykues: Shpresa Hasaj – Hyseni dhe Isuf Makolli vetëm në gusht të vitit 2019 kanë vendosur për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë me 30 dhjetor 2014.

Prokuroria e akuzonte Xhemë Binakun se në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Drenasit në mënyrë të kundërligjshme e ka keqpërdorur detyrën e tij pasi që nga viti 2008 e deri në vitin 2012 ka kërkuar dhe pranuar para të qirasë nga i dëmtuari Bardhyl Geci për një lokal të komunës në Qendrën Tregtare të Drenasit.

Sipas prokurorisë, Xhemë Binaku çdo muaj në emër të qirasë kishte pranuar shumën prej 300 euro nga i dëmtuari, ndërsa këto pagesa nuk i ka evidentuar dhe paguar komunës.

Prokuroria pretendonte se shuma totale që ka pranuar Binaku është 10,800 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur më këtë.

Zyrtari i Drenasit Kundërshton Aktakuzën e Korrupsionit