Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Lirohet nga akuza për keqpërdorim të detyrës ish-zyrtari i prokurimit në Spitalin e Vushtrrisë

Në mungesë të provave Gjykata në Mitrovicë sot ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit Mujë Ferati, i cili nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohej për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Tomislav Petroviq kjo gjykatë nuk ka arritur të vërtetoj se i pandehuri në cilësinë e zyrtarit të prokurimit në spitalin “Sheikh Zayed” kishte keqpërdorur detyrën e tij, ndërsa Prokuroria përmes aktakuzës pretendonte të kundërtën.

Me këtë Ferati po ashtu është liruar nga të gjitha shpenzimet procedurale, të cilat pas shpalljes së këtij aktgjykimi bien në barrë të gjykatës.

Akuza e Prokurorisë pretendonte se Ferati si person zyrtar në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit në Spitalin “Sheikh Zayed “, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore operatori ekonomik “Kosova Med” nga Prishtina e t’i shkaktojë dëm Spitalit në Vushtrri.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo kontratë ishte lidhur edhe pse operatori ekonomik ishte vonuar 8 ditë që t’ia dorëzojë mallin autoritetit kontraktues. Përkundër kësaj i akuzuari Mujë Ferati nuk kishte ndërmarrë masa ndëshkuese për likuidimin e dëmeve – shqiptimi i penaltive, me ç’rast sipas aktakuzës ishte dëmtuar buxheti i Spitalit në shumë prej 1,187.60 euro. Më këtë akuzohej se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Ndryshe dje në Gjykatën e Mitrovicës është mbajtur seanca e gjykimit ndaj të pandehurit Ferati i cili me rastin e deklarimit për fajësinë kishte mohuar akuzën e prokurorisë duke thënë se nuk ndihej fajtor.

Prokuroria kërkon dënimin e ish-zyrtarit të Prokurimit të Spitalit të Vushtrrisë

.