Lirohet nga akuza ish-togeri i Policisë, Menderes Sinani

Gjykata e Ferizajt ka shpallur sot vendimin ndaj të akuzuarve Menderes Sinani, Remzi Bislimi, Kreshnik Sefedini dhe Emrush Lalinovci.

Trupi gjykues i udhëhequr nga kryetari Ibrahim Idrizi, e shpalli fajtor Kreshnik Sefedinin për veprat penale – frikësim gjatë procedurës penale, dhe përdorim i armës, dhe i shqiptoi dënim me 1 vit burgim efektiv dhe 900 euro gjobë.

Fajtor e ka shpallur edhe Remzi Bislimin për veprat penale – dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, si dhe deklarim i rremë nën betim. Bislimi u dënua me  6 muaj burgim efektiv, i cili burgim me pëlqim të pandehurit i zëvendësohet me gjobë në vlerë 1,500 euro, dhe për veprën e dytë me 800 euro gjobë.

Ish-togeri Menderes Sinani është liruar nga akuza për veprën dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Po ashtu i pafajshëm është shpallur edhe Emrush Lalinovci, i cili akuzohej për veprat – dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale dhe deklarim i rremë nën betim.

Sipas Gjykatës të akuzuarit lirohen nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale.

E gjithashtu gjykata njoftoi se për disa vepra prokuroria është tërhequr nga aktakuza për shkak të parashkrimit absolut dhe për disa nuk është vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer ato vepra penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Gjuajta me armë zjarri kishte ndodhur më datë 13 maj 2013 rreth orës 21:30 në Montana, një lokal me muzikë nate dhe biznes ku policia ka kryer disa herë bastisje, e kjo pronë e të akuzuarit Remzi Bislimi i njohur si ‘Daja Rem’.

Sipas Prokurorisë gjuajtja kishte ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjes në mes të Kreshnik Sefedinit (këngëtar) dhe Qëndrim Mehmetit (këngëtar).

Aktakuza përshkruan se Kreshnik Sefedini e nxjerr revolen me gaz dhe shkrep në Qëndrim Mehmetin duke e goditur atë në këmbë.

Të pranishëm gjatë asaj ngjarjeje ishin disa punëtorë të ‘Montanë’-s, njëra nga punëtoret e njofton Policinë për incidentin, edhe pse pronari i lokalit Remzi Bislimi së bashku me Kreshnik Sefedinin dhe disa punëtorë të tjerë të të njëjtit lokal mundoheshin ta fshihnin gjuajtjen, por pas njoftimit të Policisë, të dyshuarit e kthyen vëmendjen për ta adresuar gjendjen e viktimës.

Sipas Aktakuzës ata sajuan një tregim mbulues për një “fishekzjarr” për t’i thënë policisë se ishte një fishekzjarr dhe jo gjuajtje me armë. Gjithashtu Kreshnik Sefedini më pas u mundua të pajtohej me viktimën duke e lutur atë që të mos tregoj se çka kishte ndodhur atë natë si dhe duke i blerë dhurata.

Siç theksohet në aktakuzë më pas në ‘Euro Miti’ Ferizaj takohen Qëndrim Mehmeti i njohur si ‘Meda’, Kreshnik Sefedini, Remzi Bislimi me togerin Menderes Sinani dhe Emrush Lalinovcin si dhe një person të quajtur Razim Berisha.

“Emrush Lalinovci (zyrtar policor) i njohur me emrin “Baba Emrush” i ka thënë  viktimës Qëndrim Mehmeti që ta harrojë në lidhje me këtë incident, që të mos bëhet bujë e madhe rreth kësaj sepse Kreshniku vetëm kishte bërë shaka.  Të dy togerët Menderes Sinani dhe Emrush Lalinovci thanë që Kreshnik Sefedini do të jetë i lirë nga telashet me policinë”, theksohet në aktakuzë.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Gjykimi i ish Togerit të Policisë për gjuajtjen me armë në mes të këngëtarëve në lokal nate

.