Foto: KALLXO.com

Lirohet nga akuza ish-kryetari i bordit të ‘Kosova Thëngjillit’

Gjykata e Prishtinës e ka liruar nga akuza ish-kryetarin e bordit të “Kosova Thëngjillit”, Tahir Zeneli, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi deklaroi se Gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare në lidhje e kontratës së dëmshme.

Sipas gjykatësit, veprimet e Tahir Zenelit nuk e përbënin veprën penale për të cilën akuzohet fillimisht, dhe sipas tij gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Kemi bërë rikualifikim të veprës penale më të rëndë, por që nuk kemi gjetur se edhe për atë është fajtor”, ka thënë gjykatësi Ibrahimi.

Gjykatësi shpjegoi në detaje arsyetimin e këtij aktgjykimi, duke thënë se sipas shkresave të lëndës, rezulton se  fjala bëhet për subjekt juridik që është shoqata aksionare, ku personat përgjegjës i kryejnë veprimet e tyre në bazë të statutit dhe të gjithë aksionarët kanë qenë pjesë në vendimmarrje që reflektohen nga bordi.

Gjithashtu gjykatësi Ibrahimi njoftoi se shpenzimet e procedurës penale bien barrë e Gjykatës.

Kurse e dëmtuara “Kosova Thëngjilli”, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil-juridik.

Po ashtu, në fjalën përfundimtare të dhënë në seancën e kaluar prokurori i shtetit Rafet Halimi ka bërë precizimin e aktakuzës për vlerën e dëmit të shkaktuar që sipas Prokurorisë është 108.371.84 euro.

https://kallxo.com/perfundon-gjykimi-ndaj-ish-kryetarit-te-bordit-te-kosova-thengjillit/

Tahir Zeneli akuzohet se e ka keqpërdorur pozitën zyrtare sa ishte në cilësinë e kryetarit të bordit të shoqërisë aksionare “Kosova Thëngjilli”.

Sipas aktakuzës, Zeneli ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu”, në kundërshtim me vendimin e Bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjill”, duke i shkaktuar kompanisë humbje materiale në shumën prej 130.971,84 euro, edhe pse në mbledhje të bordit të “Kosova Thëngjillit” ishin caktuar kushtet të cilat duhet t’i plotësonte kompania për të lidhur kontratë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces.