Nexhat Demaku, ish-Kryetar i Drenasit

Lirohet ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku

 

Gjykata liroi nga akuza ish-kryetarin e Komunës së Drenasit Nexhat Demakun dhe Sadik Tahirajn nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në mungesë të provave.

Nexhat Demaku, akuzohej nga Prokuroria se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Drenasit e ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Aktakuza pretendonte se në mars të vitit 2015 Demaku ka lëshuar ‘akt emërimi’ punëtores Mimoza Berisha për pozitën Inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit.

Kjo sipas aktakuzës kishte ndodhur duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit, pa konkurs publik, duke i shkaktuar dëme Komunës së Drenasit në vlerë prej 18,309.01 euro.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, Sadik Tahiraj në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Drenasit, në mars të vitit 2014 i ka lëshuar kontratë pune për mësimdhënës Mimoza Berishës, si edukatore, në shkollën e mesme të ulët “Ali Gashi” në Drenas.

Kjo sipas Prokurorisë kishte ndodhur pa konkurs publik dhe pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit.

Sipas aktakuzës këto veprim të Tahirajt i kanë shkaktuar Komunës së Drenasit dëm të buxhetit në vlerë prej 756.18 euro.