Foto: Kallxo.com

Lirohen nga akuza zyrtarët e Urbanizmit në komunën e Skenderajt

Hasan Shala, ish drejtor i Urbanizmit në Komunën e Skenderajt, dhe Sanije Ahmeti, zyrtare në këtë drejtori, aktualisht drejtoreshë e Urbanizmit, janë shpallur të pafajshëm sot nga gjykata e Mitrovicës.

Ata akuzoheshin nga prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërsa Ahmeti përveç për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar akuzohej edhe për veprën penale mashtrim në detyrë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të njëjtëve është bërë nga gjykatësi Beqir Halili, i cili ka sqaruar se nga provat e administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të vërtetohet se të pandehurit janë fajtorë.

Andaj në mungesë provash të njëjtit janë liruar nga akuza.

Prokuroria e Mitrovicës akuzonte Shalën se në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skenderajt, si dhe Ahmetin si inxhiniere e arkitekturës në këtë Drejtori, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Sipas akuzës, ata këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë organizata e biznesit NNSH ”ILEAA-GR”.

Në akuzë thuhej se Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e “Parkut te Pishat” në Skenderaj në shtator 2011 ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit që të bëhet riformatimi- ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën e datës 21 korrik 2011.

Kjo ishte e nënshkruar në mes Komunës së Skenderajt dhe kompanisë NNSH” ILEAA-GR” për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88,004.00 euro.

Ndërsa i akuzuari Hasan Shala, sipas aktakuzës, në tetor 2011 ka aprovuar kërkesën, duke ndryshuar kështu pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë, me zëvendësimin e platosë me kubëza dhe murit mbrojtës për punime në terren edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.

Në aktakuzës thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.

Me këtë Shala dhe Ahmeti akuzoheshin se kanë kryer veprën “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Përveç kësaj, Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skenderajt akuzohet edhe për veprën penale  “mashtrimi në detyrë“.

Kurse sipas akuzës ajo këtë e kishte bërë me prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.

Akuza thotë së ajo këtë e kishte bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH ”ILEAA-GR” në Skenderaj, duke vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtarë në kryerjen e pagesave në shumën prej 80,190.00 euro, si dhe në shumën prej 7,814.00 euro edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.