Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike bën të dështojë seanca për “Veteranët”

Me kërkesë të mbrojtësit të deputetit Shkumbin Demalilaj është shtyrë seanca gjyqësore për rastin e njohur si “Veteranët”.

Mbrojtësi i Demalijajt, avokati Arianit Koci ka kërkuar shtyrjen e seancës për një orë pasi klienti i tij është në mbledhje në Kuvendin e Kosovës, ku pritej të votohej Ligji për ri këmbjen ekonomike.

Ish kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë, akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ata po akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.

Edhe pas përpjekjeve qe e njëjta të mbahet mbas një ore, përsëri nuk pati kushte të mbahet, për arsye se deputeti Shkumbin Demalilaj nuk u paraqit në gjykatë.

“Me keqardhje ju informoj se seanca e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka filluar, kështu që mbetem pranë propozimit për shtyrje të seancës”, tha avokati Koci.

Gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj tha se duke pasur parasysh rëndësinë e ligjit për rimëkëmbje ekonomike seanca e sotme duhet të shtyhet për ditën e nesërme.

Kurse seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet nesër.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.

 

Ramush Haradinaj dëshmitar në rastin ‘veteranët e rrejshëm’