Foto: KALLXO.com

Leonis Frangu lirohet për herë të dytë nga akuza për terrorizëm

Leonis Frangu sot u lirua për herë të dytë  nga Gjykata e Prishtinës nga vepra penale – pjesëmarrje në terrorizëm.

Dhënia e këtij aktgjykimi u përcoll me gëzim nga i akuzuari.

Sot, Leonis Frangu ishte mbrojtur në heshtje.

Gjykata e arsyetoi vendimin duke thënë se në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale nuk kanë qenë të regjistruara si organizata terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”.

Po ashtu, Gjykata nuk ka arritur të gjejë se Leonis Frangu kishte marrë pjesë në ndonjërën prej këtyre organizatave.

Gjykatësi i çështjes, Beqir Kalludra, deklaroi se njëra palë gjithsesi do të ngelet e pakënaqur por “shpresoj që ky vendim do të vërtetohet”.

Gjykata e Prishtinës edhe në shkurt të vitit 2018 e kishte liruar Frangun nga e njëjta akuzë.

Gjykata Vendos për të Akuzuarin për Terrorizëm

Ndërsa Gjykata e Apelit çështjen e kishte kthyer në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Aktakuza e rëndon Leonis Frangun se më 3 nëntor 2014, pas një marrëveshjeje paraprake me Blerim Sylën, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kishin fluturuar drejt Stambollit e nga aty kanë shkuar së pari në Hatay dhe nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër me kufirin me Sirinë, ku i ishin bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Gjykata e Prishtinës në shkurt të vitit 2018 kishte liruar Frangun nga akuza për veprën penale bashkim dhe pjesëmarrje në terrorizëm. Kurse Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim për shkak të mos vërtetimit të plot të gjendjes faktike.