Lëndët gjyqësore do të ndahen në mënyrë automatike nga SMIL
Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në gjykatat e shkallës së parë ndarja e lëndëve tek gjyqtarët do të bëhet në mënyrë automatike nga programi SMIL.
Me 18 shkurt, në Gjykatën e Ferizajt, ishte vënë në funksion implementimi i pilot projektit automatik për shpërndarjen e lëndëve, i cili pasi kishte rezultuar me sukses filloi të përdoret nga gjitha gjykatat e shkallës së parë.
Në njoftimin e KGJK-së, thuhet se përmes përdorimit të këtij programi, do të rritet transparenca dhe do të pengohet manipulimi i referentëve gjatë procesit të ndarjes së lëndëve.
Para shpërndarjes elektronike të lëndëve gjyqësore, gjykatat kanë përdorur dy metoda për ndarjen e lëndëve gjyqësore.
Metodën e rastësisë, apo shortit dhe metodën e rotacionit.
Metoda e rastësisë zhvillohej në atë mënyre që emrat e të gjitha lëndëve shkruheshin në letra të cilat mbylleshin dhe përziheshin nga referenti i departamentit përkatës dhe gjyqtarët e departamenteve përkatëse ftoheshin të zgjidhnin.
Ndërsa metoda e rotacionit nënkuptonte se gjyqtarët lëndët që vinin do t’i merrnin me rend sipas radhës që ishin të listuar nga referentët.
Por në raste specifike sidomos kur kishte ndonjë lëndë të shënjestruar për liberalizim të vizave shorti tërhiqej në prani të kryetarit të gjykatës.
Andaj, shpërndarja e lëndëve gjyqësore sipas sistemit të automatizmit do të ketë përparësitë e tij, sepse në mënyrë elektronike do të evidentohet saktë data kur lënda ka shkuar në gjykatë, data kur është shpërndarë tek gjyqtari, data kur janë ndërmarrë veprimet procedurale në atë lëndë.
Përparësia kryesore e këtij programi është se qasje do të kenë vetëm personat e autorizuar me ‘usernamin’ e tyre, duke treguar saktë kohën e hyrjes në sistem, veprimet e ndërmarra, veprimet e modifikuara.